Ditët e karantinës e sjellin një version krejtësisht të veçantë të këngës “Dit e Nat” ku vihet në pah zëri i fuqishëm i këngëtares Flaka Krelani.
Ndonëse në projektet e fundit jemi mësuar ta shohim më ndryshe, kësaj radhe, Flaka ka vendosur për një version unplugged.
Në Express të KTV-së, Flaka foli rreth realizimit dhe tekstit.
I shkruar nga ajo, këngëtarja u shpreh se teksti është reflektim i ditëve të izolimit për shkak të situatës së krijuar nga virusi.
“Më së shumti na duhet dashuria dhe unë vendosa që ta jap përmes këngës time”, tha ajo.
E pyetur sesi i kaloi këto ditë të izolimit për shkak të pandemisë së koronavirusit, Krelani tregoi se muajin e parë qëndroi në Prishtinë mirëpo më vonë u kthye në vendin e saj të lindjes, në Gjakovë.
Ajo tregoi se është e lumtur që po arrin të qëndrojë me familje dhe shoqëri më shumë gjatë kësaj kohe, por në të njëjtën kohë edhe të punojë.
Këngëtarja tha se e ka marrë malli shumë për performancat live dhe rikthimin në normalitet përderisa premtoi projekte të tilla edhe në të ardhmen e afërt.