Showbiz

Yjet e muzikës vazhdojnë të bëjnë thirrje për drejtësi në SHBA

Billie Eilish, Rihanna dhe Ariana Grande, janë në mesin e qindra personaliteteve të skenës muzikore, që e kanë nënshkruar një letër të hapur përmes së cilës i bëjnë thirrje shtetit të New Yorkut për shfuqizimin e statutit 50-A, një ligj civil i cili i fsheh të dhënat e policisë për sjellje të dhunshme, nga syri i publikut.

Kjo kërkesë u nda me opinionin e gjerë të hënën me 8 qershor, së bashku me një peticion online ku mund të regjistrohen të gjithë të interesuarit, transmeton Koha.

Letra në fjalë e nënshkruar nga yjet e showbizit, i adresohet legjislaturës së shtetit të New Yorkut dhe guvernatorit, Andrew Cuomo, dhe vjen si rrjedhojë e protestave të shkaktuara nga vrasja e George Floydit, nga polici i Minneapolisit, Derek Chauvin, më 25 maj.

“Ne e vajtojmë vrasjen e George Floydit dhe humbjen e panevojshme të aq shumë jetëve të personave afrikano-amerikan. Prandaj, ne duhet t’i mbajmë përgjegjës të gjithë ata që e shkelin betimin për shërbim dhe mbrojtje të popullit, dhe të gjejmë drejtësi për ata që janë viktima të dhunës së ushtruar nga policia. Një hap i domosdoshëm në këtë drejtim, është qasja e publikut në të dhënat disiplinore të zyrtarëve të zbatimit të ligjit në vend. Ligji 50-A i New Yorkut, e bllokon transparencën e plotë të këtyre të dhënave duke e mbrojtur historikun e sjelljeve të gabuara të policisë nga syri i publikut, dhe duke e bërë më të vështirë kërkimin e drejtësisë për viktimat e dhunës. Ky ligj duhet shfuqizuar menjëherë,” shkruhej në letrën e hapur drejtuar guvernatorit dhe legjislaturës së shtetit të New Yorkut.

Pas gati dy javësh protestash, qyteti i Minneapolisit është zotuar ta shpërndajë departamentin e policisë, vendim ky i mbështetur nga një shumicë e anëtarëve të Këshillit të Qytetit.

Ish-polici, Derek Chauvin, i cili ia morri jetën George Floydit duke i vënë gjurin në fyt për nëntë minuta, prej se ndodhi kjo ngjarje është pushuar nga puna si dhe është paditur për vrasje të shkallës së dytë.

Edhe tre kolegët e tij, Thomas Lane, Tou Thao dhe J Alexander Keung, po ballafaqohen me akuza për ndihmë në kryerje të vrasjes së shkallës së dytë.