Aktorja, Mary-Kate Olsen zyrtarisht ka bërë kërkesë për shkurorëzim nga, Olivier Sarkozy, menjëherë pas rihapjes së gjykatës së New Yorkut.
33-vjeçarja së fundmi kishte bërë kërkesë emergjente për shkurorëzim nga bashkëshorti, kjo pasi deklaroi se ai po provon ta largojë nga apartamenti i tyre në New York në mes të pandemisë së koronavirusit, por kërkesa e saj nuk ishte aprovuar pasi një gjykatës ka insistuar se kjo nuk ishte një gjendje aq thelbësore.
Ylli i njohur hollywoodian më pas kishte vendosur të largohet për në Hampton, ku e ka marrë me qira një pronë private miliona dollarësh, transmeton Koha.
Tani, sipas kolumnës “Page Six” të së përditshmes “New York Post”, kërkesa e saj për shkurorëzim është aprovuar me sukses nga Gjykata e Lartë në Manhattan.
Në dokumentet origjinale të dorëzuara në gjykatë ylli i filmit “It Takes Too”, Mary-Kate, ka kërkuar që rasti i saj të trajtohet me urgjencë pasi ajo rrezikon ta humbë kulmin mbi kokë si dhe gjësende të shumta personale, sidomos marrë parasysh faktin se jemi në mes të një krize globale shëndetësore.
Ajo gjithashtu ka deklaruar se 50-vjeçari Sarkozy, me të cilin ishte martuar në vitin 2015, e kishte përfunduar kontratën e qirasë së apartamentit të tyre, pa lejen e saj.
Së fundmi në media dhe portale të ndryshme u spekulua që arsyeja e prishjes së raportit mes dyshes së famshme, ishte fakti që aktorja dëshironte të ketë fëmijë, derisa bankieri francez, i cili i ka dy fëmijë nga martesa e parë, nuk dëshironte të krijojë familje me të.
Por, kjo nuk është arsyeja e vetme që ka quar deri në shkurorëzimin e çiftit, pasi disa burime të afërta kishin deklaruar se ata shpesh kishin pasur mosmarrëveshje rreth stilit të jetës së Sarkozyt, i cili i pëlqente shumë ndejat dhe alkoolin.