Këngëtarja e nominuar gjashtë herë për çmim “Grammy”, Lana Del Rey, para katër ditësh e kishte postuar një mesazh në Instagram, përmes së cilit e kishte shprehur frustrimin ndaj kritikëve të saj, të cilët nga fillim i karrierës e kishin akuzuar se nuk është feministe, dhe se me muzikën e saj e promovon abuzimin ndaj grave dhe nënshtrimin e tyre ndaj burrave.
Por, së fundmi këngëtarja u detyrua ta postoj sërish një mesazh të gjatë në rrjetet sociale, përmes së cilit i ka hedhur poshtë akuzat për komentin e saj të mëparshëm ku i ka cituar standardet e dyfishta në industrinë e muzikës, si dhe i ka akuzuar kritikët e saj duke thënë se vetëm po kërkojnë të krijojnë drama, transmeton Koha.
Këngëtarja e hitit “Summertime Sadness”, Lana Del Rey, u bë lajm gjatë fundjavë për shkak të mesazhit të gjatë të cilin e kishte postuar dhe ku ka treguar se si gjithnjë është “kryqëzuar” për tekstet e këngëve të saj, si dhe kishte përmendur emra të yjeve të muzikës të tillë si, Beyonce, Ariana Grande dhe Nicki Minaj.
Me këtë rast, Del Rey i ka thënë edhe disa fjalë të fundit, për ta sqaruar postimin e saj të parë.
“Pavarësisht reagimeve që i kam dëgjuar nga persona të ndryshëm të cilët i kam përmendur në mënyrë komplimentuese në mesazhin tim të parë, dua të them se vazhdoj të jem e vendosur në qëndrimin tim dhe ajo për të cilën po shkruaja, kishte të bënte me rëndësinë e vetëavokimit për gratë më delikate, të brishta dhe shpesh të injoruara. Unë mendoj se duhet të ketë vend edhe për atë lloj të grave në këtë industri të muzikës,” ka shkruar këngëtarja.
Del Rey, e njohur për hite të tilla si, “Video Games”, “Born to Die” dhe “Young and Beautiful”, më pas iu adresua edhe spekulimeve të racizmit, pasi ishte akuzuar se me mesazhin e saj i kishte sulmuar këngëtaret me ngjyrë.
“Ju vetëm kërkoni të shkaktoni drama. Nuk është se dëshironi të besoni se një grua mund të jetë e bukur, e fuqishme dhe e brishtë të një njëjtën kohë… Reagimet tuaja janë të kota dhe boshe. Njësoj sikur para dhjetë vjetëve kur dolën miliona reagime ndaj meje, duke thënë se po shtiresha për brishtësi emocionale dhe po gënjeja se jam rritur e varfër, kur në fakt kjo ishte e vërteta ime.”
Ajo e përfundoi mesazhin duke thënë: “Nëse gratë të cilat i kam përmendur në mesazh nuk duan të shoqërohen me mua, kjo është absolutisht në rregull për mua.”
Prej lansimit të albumit debutues në vitin 2010, Lana Del Rey, ishte akuzuar për prezantim të ideve të vjetruara të roleve gjinore në muzikën e saj.