Showbiz

J.K. Rowling po i dhuron 1 milion funte për të prekurit nga COVID-19

J.K. Rowling ka vendosur t’i dhurojë 1 milion funte për t’i ndihmuar viktimat e dhunës familjare dhe të pastrehët, gjatë kësaj periudhe të pandemisë së koronavirusit.

Autorja e librave “Harry Potter” e ka dhuruar këtë shumë madhështore të parave, me qëllim që t’i ndihmoj organizatat të cilat i përkrahin personat e ndikuar nga kriza e fundit globale shëndetësore.

Përmes një postimi të fundit në Twitter, Rowling tha: “Sot është 22-vjetori i betejës së Hogwartit, por do të jem e sinqertë me ju dhe ju them se më duket e papërshtatshme që sot të flas për disa vdekje imagjinare. Sepse shumë njerëz janë duke i humbur më të dashurit e tyre në jetën e përditshme. Prandaj, në përvjetorin e fitores së madhe në botën e magjistarëve, unë po mendoj për të gjithë njerëzit që gjende atje jashtë duke punuar për të na mbrojtur neve. Në familjen time i kam tre anëtarë të cilët punojnë në vijën e parë të frontit, dhe sikurse gjithë të tjerët, edhe unë po ndihem e ndarë mes krenarisë për ta dhe frikës e ankthit. Si gjithmonë, në kriza të kësaj natyre, janë të varfrit ata që ndikohen më së shumti, prandaj unë kam vendosur që t’i dhuroj 1 milion funte për organizatat, ‘crisis.org.uk’ dhe ‘refuge.org.uk’, të cilët i ndihmojnë personat e pastrehë gjatë kësaj pandemie dhe viktimat e dhunës familjare, që fatkeqësisht e dimë se është rritur dukshëm gjatë kësaj periudhe të vetizolimit.”

 

 

Ndërkohë, 54-vjeçarja Rowling, muajin e kaluar e kishte bërë të ditur lajmin se është shëruar nga COVID-19, dy javë pasi dyshonte se ishte prekur nga kjo sëmundje vdekjeprurëse, transmeton Koha.

“Për dy javë i kam pasur të gjitha simptomat e koronavirusit, ani pse nuk arrita të testohesha. Por tani jam shëruar plotësisht dhe doja t’i ndaja me ju disa teknika të cilat m’i kanë rekomanduar mjekët. Nuk kushtojnë asgjë, nuk kanë efekte anësore, por mund t’iu ndihmojnë juve dhe më të dashurve tuaj, sikurse më kanë ndihmuar mua,” kishte deklaruar Rowling përmes një postimi në Twitter.

Ajo, gjithashtu e kishte ndarë me ndjekësit e saj një video ku i ka treguar këto teknika të frymëmarrjes të cilat e kishin ndihmuar t’i menaxhojë simptomat më të rënda të sëmundjes, si dhe i janë rekomanduar nga bashkëshorti i saj i cili është mjek në Britani të Madhe.

54-vjeçarja J.K. Rowling, librat e së cilës “Harry Potter” bashkë me filmat e bazuar në këto tregime, i kanë fituar zemrat e miliona fansave anembanë botës, bënë pjesë në listën e të famshmëve që është prekur dhe shëruar me sukses nga koronavirusi, të tillë si: Tom Hanks, Idris Elba, Pink, Olga Kurylenko dhe trashëgimtari i fronit mbretëror të Britanisë së Madhe, Princi Charles.