Showbiz

Chris Evans ribashkon kastën e filmave “Avengers” si pjesë e sfidës “All-In Challenge”

Descriptive Text

Aktori i njohur amerikan, Chris Evans, ka bërë të ditur se bashkë me ekipin e aktorëve të filmave “Avengers”, do ta realizojnë një takim online si pjesë e sfidës së fundit e cila i dedikohet të famshmëve, me titull “All-In Challenge”.

Kjo iniciativë bamirëse ka për qëllim të mbledhë të holla për t’iu siguruar ushqim të gjithë njerëzve në nevojë, gjatë pandemisë së koronavirusit, përfshirë këtu fëmijët, të moshuarit dhe punëtorët e frontit të parë, transmeton Koha.

Evans i cili në filmat me buxhet të lartë e portretizon superheroin Captain America, i është bashkuar yjeve të shumtë që janë bërë pjesë e “All-In Challenge”, si dhe u ka bërë thirrje edhe miqve dhe kolegëve të tij si: Robert Downey Jr, Scarlett Johansson, Chris Hemsworth, Mark Ruffalo dhe Jeremy Renner, që t’i bashkohen në një transmetim virtual.

Fansat kanë mundësi të bëhen pjesë e kësaj video-lidhjeje duke dhuruar të holla për këtë iniciativë. Ndërkaq në postimin e tij në Instagram, Evans tha se është shumë i lumtur që do të jetë pjesë e kësaj sfide, si dhe i informoi fansat se ata mund t’iu parashtrojnë çfarëdo pyetje, atij dhe kolegëve nga filmat “Avengers”, si dhe mund ta luajnë ndonjë lojë së bashku.

 

 

Në anën tjetër, duke bërë shaka aktori Mark Ruffalo, komentoi në postimin e aktorit Evans duke thënë: “Ndoshta është mirë të mos na pyesin për gjithçka… #Spoilers.”

Filmat “Avengers” të cilët realizohen me buxhet të lartë dhe i bëjnë bashkë në një vend disa prej superheronjve më të dashur të botës, gjithashtu janë ndër projektet më fitimprurëse në arkat filmike me arkëtimin e miliarda dollarëve nga shitja e biletave nëpër kinema.