Showbiz

Kate Winslet tregon si ishte njohur nga një burrë gjysmë i verbër në Himalaje

Aktorja britanike 44-vjeçare, Kate Winslet, kishte luajtur krahas yllit të Hollywoodit, Leonardo DiCaprio, në filmin hit të vitit 1997 “Titanic” ku e kishte portretizuar Rose DeWitt Bukaterin, dhe së fundmi ajo ka treguar se për këtë rol është njohur në disa vende të paimagjinueshme, çka edhe e kishte emocionuar atë tej mase.

“Filmi ‘Titanic’ është shikuar kudo në botë. Disa vjet pas lansimit të tij nëpër kinema unë udhëtova për në Indi. Dhe teksa po ecja e vetme nëpër kodrinat e Himalajeve, një burrë 85-vjeçar dhe gjysmë i verbër mu afrua, më shikoi me vëmendje dhe më tha: ‘Ti ishe në Titanic’, unë iu përgjigja ‘po’ dhe më pas ai e afroi dorën tek zemra e tij dhe më tha, ‘Faleminderit’. Kjo gjë më bëri të shpërtheja në vaj dhe më ndihmoi vërtetë ta kuptoja, sa shumë u kishte dhuruar ky film shikuesve anembanë botës. Unë jam shumë krenare me këtë projekt, por suksesi i jashtëzakonshëm i tij bëri që ta jetoja një jetë shumë publike, për të cilën nuk isha e përgatitur. Krejt pa pritur, njerëzit po më njihnin dhe më flisnin në rrugë dhe vende jo të zakonshme. Gjithashtu isha bërë pjesë e lajmeve të cilat ishin të pavërteta, dhe duke qenë një grua e thjeshtë sigurisht se ndihesha e lënduar nga ky fakt,” kishte deklaruar Winslet në një intervistë të fundit.

Ylli i filmit “Contagion” gjithashtu ka folur për faktin se si në fillim të karrierës e kishte të vështirë të siguronte role në filma, sepse nuk ishte një grua thatanike siç kërkonin agjentët e Hollywoodit, transmeton Koha. Por pavarësisht kësaj, Winslet besonte në talentin e saj për aktrim, andaj nuk ishte dorëzuar asnjëherë derisa sa i gjente rolet të cilat i përshtateshin asaj.