Showbiz

Al Pacino gjatë fundjavës i mbushi 80 vjet

Foto: Reuters

Të shtunën më 25 prill, një prej aktorëve më të mirë në historinë e kinematografisë, Al Pacino, e shënoi ditëlindjen e tij të 80-të.

Alfredo James Pacino, ndryshe i njohur si Al Pacino, është aktor dhe regjisor i filmit të teatrit në Amerikë. Ai njihet si një prej aktorëve më të mirë në historinë e kinematografisë, për karrierën e pasur në film dhe shpërblimet e shumta që i ka fituar ndër vite.

Pacino u lind në vitin 1940 në New York nga prindërit me prejardhje nga Italia. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në qytetin e lindjes, ku gjithnjë kishte treguar interesim të madh për bejsbollin dhe aktrimin, aq shumë sa kishte vendosur të largohej nga shkolla, por ka vazhduar ta studiojë gjuhën angleze. Për shkak të këtij vendimi, ai e pati një argument të ashpër me nënën e tij, si pasojë e të cilit përfundoi duke u larguar nga shtëpia në moshën vetëm 17-vjeçare. Më pas, Pacino ishte detyruar të punonte si kamerier, rojë e ndërtesave banuese, postier dhe disa punë të tjera, në mënyrë që të paguante për studimet në aktrim dhe teatër.

Në vitin 1967, Pacino filloi të punonte në teatrin “Charles” në Boston, duke luajtur në shfaqjen e parë me titull “Awake and Sing”. Një vit më vonë, ai u angazhua në një tjetër projekt teatral me regji të Israel Horovitzit, “The Indian wants the Bronx”. Roli në këtë shfaqje ia fitoi aktorit një shpërblim “Obie” në kategorinë “Aktori më i mirë”, dhe falë performancës tejet të vlerësuar, Martin Bregman zgjoi interesim për t’u bërë menaxher i Pacinos, gjë që e ndihmoi dukshëm karrierën e tij. Debutimin në skenën e Broadway-it, aktori i njohur e shënoi në vitin 1969 me shfaqjen “Does a Tiger Wear a Neckti?”. Nga këtu karriera teatrale e aktorit eci me hapa të sigurt dhe të suksesshëm. Por në vitet ‘90, Al Pacino e braktisi teatrin për të punuar ekskluzivisht në filma.

Debutimin kinematografik Al Pacino e kishte shënuar në vitin 1969, me rolin e tij në filmin “Me, Natalie”, duke vazhduar me portretizimin e një personi të varur nga heroina, në filmin e vitit 1971, “The Panic in Needle Park”. Performanca e shkëlqyer në këtë projekt e rrëmbeu vëmendjen e regjisorit, Francis Ford Coppola, i cili e përzgjodhi aktorin për rolin e Michael Corleones në filmin ikonik, “The Godfather”.

Një vit më vonë, ai u angazhua si protagonist në filmin “Serpico”, i cili bazohej në historinë e korrupsionit në policinë e New Yorkut. Po në këtë vit, Pacino u shfaq me rol në filmin “Scarecrow”, për të cilin e fitoi një shpërblim “Palma e Artë”, në kategorinë “Aktori më i mirë”. Pacino u bë sërish pjesë e filmit shumë të pëlqyer nga publiku mbarëbotëror, “The Godfather Part II”, i cili ia fitoi aktorit nominimin e tretë për “Oscar”. Në fillim të viteve ‘80, Pacino kaloi nëpër një periudhë të vështirë të karrierës së tij, teksa filmat “Cruising” dhe “Author! Author! ” u konsideruan dështime të mëdha për aktorin dhe u kritikuan ashpër nga ekspertët e filmit. Por ishte filmi i vitit 1983, “Scarface”, ai i cili ia riktheu famën në Hollywood. Në po të njëjtin vit, Pacino vendosi të pauzonte për gjashtë vjet nga kinematografia, duke u rikthyer më 1989-n me filmin “Sea of ​​love”, ku ai e luajti rolin e një detektivi.

Shpërblimin e parë dhe të vetëm “Oscar”, Al Pacino e fitoi në vitin 1993, duke u shpallur “Aktori më i mirë i vitit” për performancën e tij në filmin “Scent of a Woman”. Edhe vitet 2000 ishin tejet të angazhuara dhe të pasura me role të ndryshme për aktorin Pacino. Por, ndër filmat e tij më të suksesshëm mbesin: “Chinese coffee”, “Gigli”, “Wilde Salomé”, “Phil Spector”, “Simone”, “88 Minutes”, “Righteous Kill”, “The Devil’s Advocate”, Scarface”, “Scent of a Woman” dhe të tjerë.

Al Pacino gjatë karrierës së tij kinematografike i ka fituar disa shpërblime, përfshirë këtu një çmim “AFI” për arritje jetësore, një shpërblim “Emy” dhe një “Globi i Artë” në kategorinë “Aktori më i mirë”, për rolin e tij në filmin televiziv “You do not know Jack”, si dhe në vitin 2011 u nderua me çmimin special “Gloria” në festivalin e filmit në Venecie, ku u nderua puna e tij në filmin “Wilde Salomé” dhe të tjerë.

Për herë të fundit në ekran të madh, aktorin e kemi parë në filmin shumë të pëlqyer të Martin Scorseses, “The Irishman”, ku luajti krahas kolegëve dhe shokëve të tij, Robert DeNiro dhe Joe Pesci.

Roli i tij i ardhshëm do të jetë në filmin “Jewel of India”, i cili vjen në regji të Rob Cohenit, ndërsa do të fillojë së shfaquri nëpër kinema më 10 janar të vitit 2021.

{gallery}