Kantautori legjendar amerikan, John Prine, ka vdekur të martën nga komplikimet e shkaktuara nga koronavirusi, kjo pasi i kishte kaluar 13 ditë nën kujdesin intensiv në qendrën spitalore “Vanderbilt University”, në Tennessee. Ai ishte 73-vjeçar.
Akademia e Incizimeve e ka lëshuar një komunikatë për media ku thuhej: “Sikurse publiku mbarëbotëror, edhe ne jemi të pikëlluar me vdekjen e këngëtarit dhe tekst-shkruesit të muzikës folk dhe country, John Prine. Shprehim ngushëllimet më të thella për më të dashurit e tij.”
Bashkëshortja dhe menaxherja e tij, Fiona Whelan po ashtu ishte diagnostikuar me COVID-19, por ka arritur të shërohet plotësisht nga kjo sëmundje, transmeton Koha.
Aftësitë e Prine për të shkruar këngë ishin vlerësuar lartë ndër vite, nga ikona të mëdha të muzikës si, Bob Dylan dhe Bruce Springsteen.
Këngëtari i muzikës folk dhe country ishte fitues i dyfishtë i çmimit “Grammy”, dhe shquhej për hite të njohura si: “Hello in There”, “Sam Stone” dhe “Paradise”.
Gjatë jetës së tij, Prine ishte ballafaquar dy herë me sëmundjen e kancerit, të cilën e kishte mundur me sukses.
Në vitin 2018, John Prine e kishte lansuar albumin e 18-të të incizuar në studio dhe të fundit në karrierën e tij, me titull “The Tre of Forgiveness”.