Showbiz

Koronavirusi ia prish Jennifer Lopezit planet e martesës

Foto: Reuters

Planet për martesë të yllit botëror, Jennifer Lopez, janë ndikuar dukshëm nga pandemia globale e koronavirusit.

Ylli i filmit “Hustlers” kishte planifikuar të kurorëzohet me të fejuarin e saj, Alex Rodriguez, në muajt në vazhdim, por së fundmi e ka pranuar që nuk ka ide se kur do ta bëjnë dasmën, kjo për shkak se bota po vazhdon t'i përmbahet rregullave të vetizolimit, transmeton Koha.

Duke folur me prezantuesen, Ellen DeGeneres përmes një lidhje direkte, këngëtarja dhe aktorja e famshme JLo, tha: “Në fakt, kjo pandemi ka ndikuar paksa në planet tona për martesë. Sinqerisht, nuk e di se çfarë do të ndodhë sa i përket datës së caktuar më herët ose ndryshimit të saj. Aktualisht, si pjesa tjetër e botës, edhe ne po vazhdojmë të qëndrojmë të pezulluar. Por, duhet të presim kalimin e disa muajve për të parë se si do të zgjidhet e gjithë kjo situatë.”

Ylli 50-vjeçar i showbizit ka treguar se po e shijon kohën që po e kalon në shtëpi, bashkë me Alexin, dy vajzat e tij nga martesa e parë dhe dy binjakët e saj, Max dhe Emme, të cilët i ka me ish-bashkëshortin Mark Anthony.

Por, Lopez e ka pranuar se ndjenja e lumturisë së qëndrimit të mbyllur në shtëpi, mund të mos zgjasë edhe për shumë kohë.