Autorja e librave “Harry Potter”, J.K. Rowling, të hënën e bëri të ditur lajmin se është shëruar nga COVID-19, dy javë pasi dyshonte se është prekur nga kjo sëmundje vdekjeprurëse.
“Për dy javë i kam pasur të gjitha simptomat e koronavirusit, ani pse nuk arrita të testohesha. Por tani jam shëruar plotësisht dhe doja t’i ndaja me ju disa teknika të cilat m'i kanë rekomanduar mjekët. Nuk kushtojnë asgjë, nuk kanë efekte anësore, por mund t’iu ndihmojnë juve dhe më të dashurve tuaj, sikurse më kanë ndihmuar mua,” kishte deklaruar Rowling përmes një postimi në Twitter.
Ajo, gjithashtu e ka ndarë me ndjekësit e saj një video ku i ka treguar këto teknika të frymëmarrjes të cilat e kishin ndihmuar t’i menaxhojë simptomat më të rënda të sëmundjes, si dhe i janë rekomanduar nga bashkëshorti i saj i cili është mjek në Britani të Madhe, transmeton Koha.
54-vjeçarja J.K. Rowling, librat e së cilës “Harry Potter” bashkë me filmat e bazuar në këto tregime, i kanë fituar zemrat e miliona fansave anembanë botës, është e famshmja e fundit e cila e ka zbuluar lajmin se është prekur nga COVID-19, sëmundje kjo e cila deri më tani ia ka marrë jetën më shumë se 70 mijë personave.
Në listën e yjeve që i kanë mbijetuar pandemisë janë: Tom Hanks, Idris Elba, Pink, Olga Kurylenko dhe trashëgimtari i fronit mbretëror të Birtanisë së Madhe, Princi Charles.