Showbiz

Salma Hayek e kënaqur që do ta portretizojë një superhero në “The Eternals”

Foto: Reuters
 

Ylli latin i kinematografisë, Salma Hayek, do ta portretizojë personazhin Ajak, lideri shpirtëror i superheronjve të njohur si Eternals në filmin e bazuar në librat komik Marvel, “The Eternals” , ku lujanë edhe aktorët: Angelina Jolie, Richard Madden, Gemma Chan, Kit Harrington dhe Kumail Nanjiani.

Në një intervistë të fundit për revistën “Total Film”, Hayek tha: “Më në fund, më moshën 53-vjeçare mund ta luaj rolin e një superheroi. Në këtë film unë e luaj rolin e Ajak, lideri shpirtëror i të gjithë superheronjve, dhe të gjithë aktorët që i portretizojnë ata në film, janë njerëz të cilët nuk do t'i imagjinonit kurrë. Përveç Angelina Jolit, kuptohet. Ajo ka lindur për të qenë superhero."

Aktorja e njohur e filmit “Frida” është treguar shumë e kujdesshme që të mos zbulojë detaje rreth temës të cilën e trajton filmi, por i ka përshkruar superheronjtë Eternals, si një racë jashtëtokësorësh të cilët në fshehtësi jetojnë në tokë dhe nuk arrijnë të përshtaten me të tjerët. Ajo, po ashtu ka thënë se filmi “The Eternals” është shumë më ndryshe, dhe një projekt të cilin duhet ta shikoni patjetër, transmeton Koha.

Para pak ditësh aktori, Kumail Nanjiani, i cili e luan rolin e Kingos në film, përmes rrjeteve sociale e konfirmoi lajmin se lansimi i filmit është shtyrë për tre muaj, për shkak të pandemisë globale të koronavirusit.

“The Eternals” ishte planifikuar të fillojë së shfaquri nëpër kinema nga 6 nëntori i këtij viti, por tani është shtyrë për datën 12 shkurt të vitit 2021.