Showbiz

Kylie Jenner po iu del në ndihmë spitaleve në Kaliforni

Marka e produkteve kozmetike të bukuroshes, Kylie Jenner, së shpejti e fillon prodhimin e dezinfektuesit të duarve për spitalet e Kalifornisë, me qëllim që t’iu ndihmojë njerëzve ta luftojnë pandeminë e koronavirusit.

Ylli i emisionit “Keeping Up With the Kardashians” dhe nëna e saj, Kris Jenner, do ta bëjnë shpërndarjen e losioneve antibakteriale të cilat aktualisht janë në mungesë të madhe për shkak të krizës globale shëndetësore, përmes ndërmarrjes së produkteve të bukurisë të njohur me emrin, “Coty”, njëherësh investitori i kompanisë “Kylie Skin”.

Dezinfektuesi i duarve i prodhuar nga miliarderja më e re e botës, Jenner po ashtu do ta përfshijë një mesazh special ku shkruhet: “Dedikuar punëtorëve të shërbimeve emergjente të cilët punojnë shumë për ta ndihmuar komunitetin tonë”, transmeton Koha.

Zëdhënësi i kompanisë “Kylie Skin” e ka konfirmuar lajmin se dezinfektuesit e duarve do të realizohen nga fabrikat e kompanisë “Coty”, dhe nuk do të ndikojnë në prodhimin e produkteve të “Kylie Skin”.

Bukuroshja 22-vjeçare e cila aktualisht po qëndron e vetizoluar, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, po bënë aq sa mundet për t’i ndihmuar personat e ndikuar nga ky virus vdekjeprurës. Së fundmi ajo i ka dhuruar 1 milion dollar për të ndihmuar në sigurimin e mjeteve mbrojtëse për profesionistët e kujdesit shëndetësor të cilët po luftojnë drejtpërdrejt me COVID-19.