Këngëtarja dhe aktorja 63-vjeçare, Rita Wilson dhe bashkëshorti i saj, Tom Hanks, ishin diagnostikuar me COVID-19 në fillim të muajit mars, derisa dyshja po qëndronte në Australi.
Por tani, çifti është shëruar nga kjo sëmundje vdekjeprurëse dhe Wilson i shfrytëzoi rrjetet sociale të dielën e 29 marsit, për ta shprehur lumturinë e saj, transmeton Koha.
Kjo datë ka një rëndësi të veçantë për aktoren, e cila e kujtoi se më 29 mars të vitit 2015, mjekët ia kishin kumtuar lajmin se është shëruar plotësisht nga kanceri i gjirit.
“Kjo datë, 29 marsi, e përfaqëson një kohë të lumturisë së madhe për mua. Isha në Briadway duke luajtur në shfaqjen e Larry Davidit “Fish In The Dark”, para se ta kuptoja se isha diagnostikuar me kancer në gji. 29 marsi, po ashtu e shënon pesë vjetorin e shërimit nga kanceri, pasi i isha nënshtruar mastektomisë së dyfishtë. Jam shumë falënderuese për shëndetin tim, për mjekët, motrat, miqtë dhe familjarët e mi të cilët më kanë ndihmuar ta tejkaloj sëmundjen atëherë, por edhe tani teksa po e merrja veten nga koronavirusi,” kishte shkruar Wilson në Instagramin e saj.
Vitin e kaluar, ylli I filmit “Jingle All the Way” u nderua me yll në shtegun e të famshmëve në Hollywood, në të njëjtën ditë me lansimin e albumit të saj të ri muzikor.
“Para një viti, më 29 mars, unë u nderova me yll në bulevardin e Hollywoodit, një rrugë kjo në të cilën kaloja si fëmijë dhe i lexoja të gjithë emrat e yjeve të cilët i adhuroja. Asnjëherë nuk e kisha besuar se një ditë, edhe emri im do të përfshihej në ato yje. Po ashtu, para një viti e lansova albumin tij të katërt, 'Halfway to Home'. Çdo ditë të jetës që arrij të bëjë muzikë, është një dhuratë për mua. Aq shumë gjëra kanë ndodhur për mua në një vit. Aq shumë bekime,” ka shtuar tutje Wilson.
Dhe, derisa aktorja e feston shëndetin e saj të mirë, ajo njëkohësisht u bënë thirrje ndjekësve të saj ta bëjnë të njëjtën gjë.
Tom Hanks dhe Rita Wilson, u rikthyen në Los Angeles me një aeroplan privat para disa javësh. Ata kishin qëndruar për 14 ditë të vetizoluar në Australi.