Ish-bateristi i bendeve të njohur muzikore si “R.E.M.”, “Ministry” dhe “King Crimson”, Bill Rieflin, ka vdekur nga kanceri në moshën 59-vjeçare.
Vdekja e muzikantit është konfirmuar për publikun nga themeluesi i grupit “King Crimson”, Robert Fripp, i cili e nderoi kujtimin e mikut të tij në rrjetet sociale, transmeton Koha.
“E morra një telefonatë nga Tracy Rieflin në Seattle. Bill Rieflin ka ikur nga kjo botë në ora 18:50,” kishte shkruar Fripp.
Një mesazh emocionues e ka postuar edhe Michael Stipe nga grupi “R.E.M.”, i cili ka thënë: “Ai është në mesin e të gjitha pikave të shkëlqyera të yjeve dhe ne po shikojmë lart me shumë dashuri. Do ta nderojmë gjithmonë bukurinë, humorin, kureshtjen dhe talentin e tij të mrekullueshëm në muzikë. Koha që ai e ka kaluar me ne ka qenë e çmuar dhe e artë.”
Bill Rieflin karrierën muzikore e ka filluar në Seattle, ku i ishte bashkuar grupit “Ministry” për t’i incizuar disa prej albumeve të tyre më të suksesshme, përfshirë këtu “The Land Of Rape and Honey”, “The Mind Is A Terrible Thing To Taste” dhe “Psalm 69”.
Pavarësisht se kishte punuar me gjerësisht në zhanrin e muzikës metal me bende të tjera si “KMFDM” dhe “Pigface”, Rieflin në fillim të viteve 2000 u bë anëtar i grupit të njohur “R.E.M.”, pas largimit të bateristit të bendit, Bill Berry. Bashkë me “R.E.M.”, ai ka qenë pjesë e albumeve të tyre të suksesshme, “Around The Sun”, “Accelerate” dhe “Collapse Into Now”.
Ndërsa, Rieflin iu bashkua bendit “King Crimson” në vitin 2013, si dhe qëndroi pjesë e tij deri në vdekje.