Princesha 31-vjeçare e familjes mbretërore britanike, Beatrice, e cila është vajza e Princit Andrew dhe mbesa e Mbretëreshës Elizabeth, planifikohej të martohej me të fejuarin Edoardo Mapelli Mozzi, më 29 maj në pallatin St James, derisa festa private besohej se do të zinte vend në pallatin Buckingham.
Por, për shkak të pandemisë së koronavirusit e cila e ka pushtuar botën, Beatrice dhe Edoardo, kanë vendosur t’i ndryshojnë planet e tyre, transmeton Koha.
Në një deklaratë të lëshuar nga pallati Buckingham thuhej: “Ata në veçanti janë të vëmendshëm për këshillat e qeverisë lidhur me mbrojtjen e shëndetit të anëtarëve më të vjetër të familjes mbretërore por edhe rrezikun që e paraqet mbledhja e shumë njerëzve në një vend. Prandaj ata kanë vendosur ta anulojnë festën martesore në oborrin e pallatit Buckingham. Çifti, po ashtu do ta konsiderojë seriozisht këshillën e qeverisë, para se të vendos nëse do ta mbajë një dasmë të vogël private në shoqërinë e një grupi të vogël të miqve dhe familjarëve.”
Lajmi i anulimit të dasmës tradicionale të familjes mbretërore, të cilat zakonisht përcillen me vëmendje të madhe nga qytetarët e vendit dhe publiku mbarëbotëror, vjen në të njëjtën kohë kur mbretëresha Elizabeth i anuloi disa angazhime zyrtare, si dhe e bëri të ditur se do të largohet nga pallati Buckingham, për të qëndruar më e izoluar në kështjellën Windsor në Londër.