Para pak ditësh, supermodelja e njohur gjermane Heidi Klum e postoi një video në Instagramin e saj, ku shihej e izoluar nga bashkëshorti i saj Tom Kaulitz, pasi që dyshja po i priste rezultatet e testit për koronavirusin, transmeton Koha.
Sot, Klum e ka ndarë lajmin me publikun se bashkëshorti i saj ka rezultuar negativ me COVID-19, derisa ajo është ende në pritje të rezultatit të saj.
“Tom është mirë, pasi testi i tij ka rezultuar negative për koronavorus. Por unë do ta kuptoj rezultatin e testit të enjten,” ka deklaruar Klum në mesazhin e postuar.
Supermodelja dhe prezantuesja 46-vjeçare, i kishte brengosur tej mase fansat e saj kur u detyrua të largohet nga xhirimet e emisionit “America's Got Talent”, kjo pasi ishte sëmurë dhe frikësohej se mund të ishte prekur nga CODIV-19, pasi vuante nga shumë simptoma që lidhen me të.
Bukuroshja gjermane po ashtu ka bërë të ditur se fillimisht e kishte pasur problem të testohet menjëherë për këtë sëmundje, ngase mjekët në vendlindjen e saj atëkohë nuk posedonin mjete për ta kryer këtë test.
Klum, gjithashtu i ka bërë thirrje të gjithëve që të tregohen të vëmendshëm në këtë periudhë të izolimit, dhe ta mbrojnë veten dhe të tjerët nga pandemia globale.