Showbiz

Beyonce, Alicia dhe Christina, performuan në kujtim të Kobe Bryantit

Ylli 41-vjeçar i basketbollit u nderua në ceremoninë përkujtimore publike, “Celebration of Life”, e cila zuri vend të hënën në qendrën “Staples Centre’ të Los Angelesit. Me këngë e fjalime prekëse, në këtë ngjarje u kujtuan nëntë viktimat e aksidentit fatal me helikopter, në mesin e së cilëve ishte edhe Bryant dhe vajza e tij 13-vjeçare, Gianna.

Gjatë ceremonisë përkujtimore e cila u ndoq nga një numër i madh i publikut, përfshirë këtu familjarët e viktimave, yje të ndryshëm të muzikës sollën performanca emocionuese në skenë, transmeton Koha.net.

Beyoncé e hapi ceremoninë duke e interpretuar këngën e preferuar të legjendës së basketbollit, “XO” si dhe hitin e saj “Halo”, gjatë së cilës kohë në skenë shoqërohej edhe nga një kor muzikor.

Pas fjalimit të prezantuesit televiziv Jimmy Kimmel, i cili shërbeu si udhëheqës i ngjarjes, dhe fjalimit të gjatë dhe tejet prekës së bashkëshortes së Kobeit dhe nënës së Giannas, Vanessa Bryant, në skenë u shfaq këngëtarja Alicia Keys e cila në pianon e saj e interpretoi veprën e Beethovenit, “Moonlight Sonata”.

Kjo performancë kishte kuptim të veçantë, pasi Bryant e kishte mësuar ta interpretojë këtë vepër në piano duke e dëgjuar me vesh, gjatë një udhëtimi të gjatë kur po e ndjente shumë mungesën e familjes së tij.

Christina Aguilera po ashtu ishte në mesin e yjeve që interpretuan në këtë ngjarje pikëlluese, duke e sjellë një performancë të fuqishme të këngës “Ave Maria”.

Pas saj, në skenë dolën kolegët dhe miqtë e yllit të ndjerë të basketbollit, Shaquille O'Neal dhe Michael Jordan, të cilët e nderuan atë me fjalime qesharake dhe prekëse në të njëjtën kohë.

Ceremonia u përmbyll me fjalët e fundit të prezantuesit, Jimmy Kimmel, dedikuar familjarëve të të gjitha viktimave: “Ne ju duam juve dhe fëmijët tuaj. Do të lutemi shumë për ju. Mos harroni, punoni shumë në jetë dhe përqafoni njerëzit tuaj të dashur”.

Në fund fare u shfaq edhe dokumentari i shpërblyer me “Oscar” i Kobe Bryantit, “Dear Basketball”.