Showbiz

Pendimi më i madh për aktorin Ben Affleck, është shkurorëzimi nga Jennifer Garneri

Aktori 47-vjeçar ishte ndarë nga bashkëshortja e tij aktore në qershor të vitit 2015, ndërsa shkurorëzimin e kishin finalizuar në tetor të 2018-s, por tashti Affleck po e pranon se ndarja nga ylli i filmit “Peppermint”, Garner, me të cilën i ka 3 fëmijë, kishte ardhur në një kohë të errët të jetës së tij dhe është një prej vendimeve më të këqija, transmeton Koha.net.

“Pendimi më i madh i jetës sime është shkurorëzimi nga Jenniferi. Turpi është toksik për njeriun dhe nuk sjell asgjë pozitive përveç nënvlerësimit dhe urrejtjes. Për një kohë të gjatë unë kisha konsumuar sasi normale të alkoolit, por kur fillova ta shtoja dozën, filluan edhe problemet në martesën tonë,” citohet të ketë thënë Affleck.

Dhe, derisa aktori ishte i gatshëm të flasë për të kaluarën e tij, ai tregoi se nuk është e “shëndetshme” për të, që t’i kujtojë gabimet e së kaluarës.

Për të përditshmen “The New York Times”, Affleck tha: “Nuk është shumë e shëndetshme për mua të fiksohem në dështimet e së kaluarës. Sigurisht se kam bërë gabime dhe gjëra për të cilat pendohem. Por, pas kësaj, ti duhet ta marrësh veten, të mësosh nga ato situata dhe ta vazhdosh jetën tutje.”

Në gusht të vitit 2018, aktori ishte regjistruar në një qendër rehabilituese për t’u shëruar nga vartësia prej alkoolit. Pasi e kishte përmbushur programin, Affleck, i cili edhe në të kaluarën e kishte provuar rehabilitimin, në një postim në Instagram kishte deklaruar: “Beteja me vartësinë është një sfidë e vështirë dhe jetësore. Por, unë po luftojë shumë për veten dhe familjen time.”

Ben Affleck njihet për filma të njohur me buxhet të lartë të tillë si: “Daredevil”, “Pearl Harbor”, “Jersey Girl”, “Argo”, “Batman vs. Superman”, “Justice League”, “Gone Girl” dhe të tjerë.