Pop këngëtarja e famshme amerikane e cila është vetëm 18-vjeçare, Billie Eilish, e mahniti publikun të martën mbrëma në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve “BRIT”, me interpretimin e këngës “No Time To Die” që është kolona zanore e filmit të ardhshëm “James Bond”. Ceremonia e përvitshme muzikore e cila mbahet në Londër, sivjet e shënoi 40-vjetorin e themelimit.
Eilish e perofrmoi këngën live e shoqëruar nga një orkestër e plotë në skenë, duke e emocionuar tej mase publikun në sallë dhe atë që po e ndiqnin ceremoninë nga shtëpia, transmeton Koha.net.
Ndërsa vetëm disa minuta më vonë, ajo u shpall fituese e çmimit “Këngëtarja më e mirë ndërkombëtare”, me ç’rast e dha një fjalim shumë prekës.
“Kohëve të fundit jam ndjerë e urryer dhe momenti kur dola në skenë dhe ju pash të gjithë juve duke buzëqeshur, më bëri të qaja. Ende po ndihem e emocionuar andaj ju falënderoi shumë të gjithëve”, tha këngëtarja.
Këngëtari i ri skocez, Lewis Capaldi dhe reperi Dave, ishin fituesit më të mëdhenj të ceremonisë shpërblyese “BRIT”.
Capaldi, i cili i fitoi gjithsej dy trofe “Artisti më i mirë i ri” dhe “Kënga më e mirë e vitit” për hitin e tij të padiskutueshëm “Someone You Loved”, po ashtu e performoi këtë baladë para të pranishmëve në skenë. Ndërkaq me t’i pranuar shpërblimet në skenë, Capaldi tha: “Ky ka qenë viti më i mirë i jetës sime. Shumë faleminderit.”
Ndërsa, një prej momenteve më interesante të mbrëmjes ishte kur reperi Dave, e shfrytëzoi plotësisht vëmendjen televizive për ta bërë një deklaratë politike kundër kryeministrit britanik, Boris Johnson, duke e akuzuar atë për racizëm. Këtë deklaratë, e cila u përkrah nga publiku me brohoritje të shumta, Dave e solli përmes repturës, në performancën e fuqishme të këngës së tij hit “Black”.
Johnson është përballur me kritika të shumta në të kaluarën, për faktin se afrikanëve iu është referuar me terme ofenduese dhe raciste.
Dave gjatë mbrëmjes e fitoi shpërblimin “Albumi më i mirë i vitit” për incizimin “Psychodrama”.
Në ceremoninë e së martës, këngëtari britanik me famë botërore Stormzy u shpall “Artisti më i mirë mashkull”, derisa gjithashtu i performoi disa prej hiteve të tija më të njohura i shoqëruar në skenë nga një numër valltarësh, anëtarët e korit kishtarë dhe disa mysafir special përfshirë këtu këngëtarin, Burna Boy.
Mabel u shpall fituese e kategorisë “Artisja më e mirë femër”, dhe në fjalimin e saj e falënderoi të ëmën e cila po ashtu është këngëtare, Neneh Cherry, dhe e cila e kishte fituar një shpërblim “BRIT” para 30 vjetëve.
Prezantuesi i njohur televiziv, Jack Whitehall, e drejtoi ceremoninë me ç’rast nuk harroi ta nderojë kolegen dhe mikeshën e tij, Caroline Flack, e cila u vetëvra të shtunën më 15 shkurt.