Showbiz

Janë ngritur akuza të reja kundër aktorit Jussie Smollett

Janë ngritur gjashtë akuza kriminale ndaj ish-aktorit të serisë “Empire”, Jussie Smollett, për inskenimin e një sulmi të rremë ndaj tij. Këto akuza të reja ndaj aktorit, vijnë një vit pasi akuza të ngjashme ishin hedhur poshtë papritmas nga prokurorët vendas.

Aktori 37-vjeçar Smollett, i cili është homoseksual, po akuzohet për paraqitjen e katër raportimeve të rreme në Departamentin Policor të Chicagos, rreth deklarimit se ishte viktimë e një krimi të urrejtjes. Kështu, në mënyrë specifike aktori po akuzohet për sjellje të çrregullt.

Hedhja poshtë e akuzave të mëparshme u përcollën me shumë zhurmë dhe kritika nga kryebashkiaku i asaj kohe, Rham Emanuel, dhe eprori i policisë së qytetit, të cilët e quajtën këtë veprim keqtrajtim të drejtësisë. Më pas, ata e kishin dërguar lëndën në Gjykatën e Qarkut ku edhe kanë kërkuar që prokurori special, Dan Webb, të emërohej për rishqyrtimin e këtij rasti. Dhe me rekomandimin e Webbit, juria e Gjykatës Qendrore i ka rikthyer akuzat ndaj aktorit, pothuajse një vit pas hulumtimeve të kryera nga zyra e tij.

Smollett dhe avokatët e tij nuk kanë pranuar të komentojnë rreth rastit.

Aktori po vazhdon me insistimin se e ka treguar të vërtetën kur ka raportuar në polici, që është sulmuar në rrugë nga dy persona me maska, të cilët i kanë vënë lakun rreth qafës dhe kanë derdhur kemikate mbi të, teksa i kanë bërë sharje raciste dhe homofobike.

Smollett i cili e ka portretizuar kantautorin Jamal Lyon në serinë e kanalit Fox, “Empire”, por më pas ishte pushuar nga puna, e ka paditur qytetin e Chicagos në muajin nëntor, duke i akuzuar zyrtarët komunal për përndjekje me keqdashje.