Love do ta pranoj çmimin special në edicionin e sivjetmë të ceremonisë shpërblyese “NME”.
Me tu bërë e famshme gjatë viteve 90’ si vokaliste e bendit “Hole”, Love e ka gëzuar një sukses fenomenal si anëtare e bendit, si solo artiste por edhe si aktore. Madje ajo ishte nominuar për çmim “Globi i Artë” për rolin e saj në filmin “The People vs Larry Flynt”, ndërsa së fundmi ka luajtur në seritë e njohura televizive “Sons Of Anarchy”, “Empire” dhe “Revenge”. Love e ka vërtetuar veten si një prej këngëtare më me ndikim në muzikën alternative, në këto 30 vjetët e fundit, transmeton Koha.net.
“Ju falënderoj shumë për këtë shpërblim, do të thotë shumë për mua. Ju më keni qëndruar pranë në fillimet e karrierës dhe ndër vite kam krijuar respekt të veçantë për punën që e bëni. Jam mirënjohëse për përkrahjen që ma keni dhënë dhe mezi po pres ta ndjek ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Do të jetë një natë e mrekullueshme,” ka shkruar Love në falënderimin e saj për “NME”.
Courtney Love, i bashkohet legjendës të muzikës alternative, Shirley Manson nga bendi “Garbage”, e cila në të kaluarën është nderuar me çmimin “NME Icon Award”.
Në mesin e yjeve të tjerë të nominuar për këto shpërblime janë: Slowthai, The 1975, Yungblud, Billie Eilish, AJ Tracey, FKA twigs, Lizzo, Cardi B, Charli XCX, Foals, Stormzy, Lana Del Rey dhe këngëtarja kosovaro-britanike, Dua Lipa. Ylli i muzikës pop, ka arritur të fitojë nominim në kategoritë, “Kënga më e mirë në botë” dhe “Kënga më e mirë britanike”, për hitin e saj të fundit “Don’t Start Now”.
Shpërblimet “NME” i nderojnë më të mirët në muzikë, film, televizion dhe kulturë, ndërsa ceremonia e ndarjes së shpërblimeve do të mbahet më 12 shkurt të këtij viti, në arenën “O2 Academy Brixton” në Londër.