Showbiz

Lewis Capaldi thotë se do ta lërë muzikën nëse nuk triumfon në toplista këtë javë

Ylli i hitit “Someone You Loved”, ka deklaruar se shpreson që në fund të kësaj jave, do të arrijë të pozicionohet në vendin e parë të toplistave muzikore me këngën e tij të fundit, “Before You Go”, ani pse këngëtari përballet me një konkurrencë të fortë të yjeve si, The Weeknd me këngën “Blinding Lights” dhe Eminem me “Godzilla”, transmeton Koha.net.

Por, pritet të shihet cili nga këta artistë do ta gjejë veten të pozicionuar në maje të toplistave muzikore, rezultat ky i cili bëhet i ditur të premten më 31 janar.

Përmes një mesazhi të postuar në Instagram, Capaldi ka thënë: “Sapo u ktheva nga ceremonia e shpërblimeve “Grammy”, dhe tashmë i jam përveshur punës. Por, jam duke i shikuar disa uebfaqe muzikorë dhe po e shoh që jemi afër për ta fituar vendin e parë në toplistën e Britanisë së Madhe këtë javë, dhe nëse nuk e arrijmë këtë qëllim atëherë unë do të heq dorë përgjithmonë nga muzika, dhe do ta gjejë një punë tjetër,” ka deklaruar këngëtari duke bërë shaka.

Ylli 23-vjeçar i muzikës nuk arriti të shënojë sukses në ceremoninë “Grammy” në kategorinë “Kënga më e mirë”, ku ishte nominuar me hitin e padiskutueshëm të vitit “Someone You Loved”. Ky çmim iu nda këngëtares amerikane, Billie Eilish, për këngën “Bad Guy”.

Capaldi kishte deklaruar se nuk kishte shpresuar të fitojë në këtë ceremoni prestigjioze, prandaj as nuk e kishte përgatitur ndonjë fjalim. Prej fillimit, ai kishte qenë i bindur se triumfues në këtë kategori do të ishte ndonjëri prej konkurrentëve të tjerë si: Billie Eilish, Lizzo, Lady Gaga, Taylor Swift, Tanya Tucker, H.E.R. apo Lana Del Rey.