Gjurmët e gjymtyrëve të legjendës së basketbollit, Kobe Bryant, janë ekspozuar në bulevardin e famës në Hollywood, dy ditë pasi ylli botëror vdiq në një aksident me helikopter.

41-vjeçari Bryant, vajza e tij 13-vjeçare Gianna dhe shtatë persona të tjerë, vdiqën si pasojë e përplasjes së helikopterit me të cilin po udhëtonin, gjatë motit me mjegull në Calabasas të Los Angelesit. Vdekja e tij e tronditi industrinë e sportit dhe showbizit.
Bryant ishte atleti i parë që e pranoi nderimin e rrallë të vendosjes së gjurmëve të gjymtyrëve të tij në çimenton përpara teatrit kinez “TCL” në Hollywood. Kjo traditë e nderimit, është më e zakonshme për disa prej emrave më të mëdhenj të showbizit, transmeton Koha.net. Marilyn Monroe, John Wayne, Judy Garland, Bette Davis dhe Frank Sinatra, janë disa prej të famshmëve që janë nderuar në këtë mënyrë.
Turistë të shumtë dhe adhurues të basketbollit, u mblodhën përreth gjurmëve të gjymtyrëve të Bryantit të ekspozuara jashtë teatrit “TCL”, për tu fotografuar dhe për ta kujtuar idhullin e tyre.
Po ashtu, u bë e ditur se Kobe Bryant do të nderohet në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve “Oscar”, e cila mbahet më 9 shkurt të këtij viti. Legjenda e basketbollit e kishte fituar një çmim akademik në vitin 2018, për filmin e tij të shkurtër të animuar “Dear Basketball”, që bazohej në një ese të cilën Bryant e kishte shkruar pak para pensionimit nga NBA në vitin 2016.
Edhe pse, është ende e paqartë nëse Bryant do të nderohet gjatë segmentit të përvitshëm “In Memoriam” të kësaj ceremonie, apo do të jetë ndonjë nderim tjetër i veçantë, portali “Deadline” ka arritur ta sigurojë një deklaratë nga Akademia e Arteve dhe Shkencës, duke e konfirmuar lajmin se Kobe Bryant do të nderohet gjatë ceremonisë glamuroze, e cila transmetohet live nëpër televizionet amerikane.