Clint Eastwood nuk ka në plan të pensionohet si regjisor - pasi që dëshiron të vazhdojë të bëjë filma edhe në vitet e tij të 90-ta.
89-vjeçari e publikoi filmin e tij të fundit, “Richard Jewell”, i cili e tregon historinë e bombardimeve të vitit 1996 në Lojërat Olimpike në Atlanta, në fund të vitit të kaluar, dhe është zotuar se filmi nuk do të jetë gjëja e tij e fundit prapa kamerave.
Duke folur në një intervistë me emisionin televiziv britanik “This Morning”, Clinti zbuloi se fillimisht doli prapa kamerave në vitet 1970 për t’u siguruar që do të mund të qëndronte në filma, edhe pasi njerëzit të jenë lodhur duke e parë atë në ekran.

"Më pëlqen ta bëj këtë, është mirë të jesh në gjendje të kesh punë që paguhet," i tha ai prezantueses Alison Hammond, shkruan KOHA Ditore. "Më pëlqen të jem në filma, më pëlqen të bëj filma dhe kam filluar të drejtoj filma, sepse mendova se një ditë do të shikoj në ekran dhe të them: "mjafton me kaq Eastwood, më mirë bëj diçka tjetër. Kështu që mendova: "nëse e bëj regjinë, mund t'i lejoj njerëzit e tjerë të jenë në ekran".
Ylli i “Dirty Harry” foli gjithashtu rreth momentit kur e dinte se mund të bënte regji – moment ky që erdhi kur po e xhironte serinë televizive uestern “Rawhide” e cila debutoi në vitin 1959.
"Disa vjet më parë, po e bëja një seri të titulluar Rawhide," shpjegoi ai. "I keni të gjitha këto skena në kuaj, do të kalëronim dhe do të ndalonim përpara kamerës. Kur bërtisnin “aksion”, kuajt thjesht do të çmendeshin. E pyeta njërin prej regjisorëve, ‘Pse thoni “aksion”, pse nuk thoni thjesht “go” (fillo) në vend të “aksion”. Dhe e provuan dhe funksionoi."
Clinti gjithashtu zbuloi se ai ende e ka ponçon që e bëri të famshëm në rolin e tij të parë kryesor në uesternin ikonik të vitit 1964, “A Fistful of Dollars”, duke thënë: "Ende e kam, po... Është në një kuti qelqi. Asnjëherë nuk është larë”.