Showbiz

Justin Bieber do ta publikojë albumin e ri “Changes” më 14 shkurt të këtij viti

Justin Bieber gjatë ditës së martë e konfirmoi lajmin se albumi i tij i pestë i incizuar në studio, “Changes”, do të lansohet muajin e ardhshëm, si dhe e ndau me fansat këngën e tij të re “Get Me”, të cilën e sjellë në bashkëpunim me këngëtaren e suksesshme të muzikës R&B, Kehlani.

Albumi i pop yllit kanadez që vjen pas atij të vitit 2015, “Purpose”, saktësisht do të publikohet më 14 shkurt përmes kompanisë incizuese “RBMG/Def Jam”, dhe e përcjell hitin që e shënoi rikthimin e Bieberit në muzikë, “Yummy”, i cili u publikua në fillim të muajit janar.

Për të na zgjuar kureshtjen dhe për të na prezantuar stilin e muzikës që albumi i ri do ta përmbajë, këngëtari ka vendosur ta ndajë me fansat e tij këngën e re “Get Me”. Në këtë projekt ku Bieber vjen në bashkëpunim me Khelanin, e vërejmë këngëtarin problematik duke tingëlluar më butë dhe shpirtërorë.

Bieber po ashtu e ka bërë të ditur lajmin se më 14 maj të këtij viti, do ta realizojë një turne nëpër Amerikë, i cili do të fillojë më një koncert në arenën “CenturyLink Field” në Seattle. Ndërkaq, datat e koncerteve të radhës nuk janë konfirmuar ende.