Showbiz

Vëllai i Nicki Minajit është dënuar për përdhunimin e një të miture

Descriptive Text

Vëllai i rep artistes Nicki Minaj, 41-vjeçari Jelani Maraj, është dënuar me 25 vjet deri në burgim të përjetshëm, kjo pasi u shpall fajtor për përdhunimin e një 11-vjeçareje, transmeton Koha.net.

Atij iu shqiptua dënimi dje, në gjykatën e New Yorkut, tri vjet pasi ishte paditur për këtë vepër. Për herë të parë, Maraj ishte arrestuar në vitin 2015.

Duke e shqiptuar vendimin e tij, gjykatësi i Gjykatës Supreme, Robert McDonald, deklaroi se Maraj e ka shkatërruar një fëmijë me veprat e tij.

Ndërkaq, në një deklaratë për media, Maraj citohet të ketë thënë: “Dua të kërkoj falje për dhimbjen që e kam shkaktuar. Atëkohë, kisha probleme të mëdha me konsumimin e tepërt të alkoolit.”

Ylli i muzikës rep, Minaj, nuk qe e pranishme në gjykatë kur vëllait të saj iu shqiptua dënimi, por në vitin 2016 përmes një letre të shkruar e kishte mbrojtur atë publikisht, duke e përshkruar karakterin e tij si “të durueshëm, të dashur dhe të sjellshëm”.

Viktima në këtë rast, e cila në kohën kur është sulmuar ishte vetëm 11-vjeçare, ka folur për këtë ngjarje duke treguar se atëkohë ishte ndier e pafuqishme, dhe që nga atëherë vuan prej sulmeve të ankthit.

Jelani Maraj, në të kaluarën është përfshirë në tekstet muzikore të motrës së tij Minaj. Në këngën e vitit 2010, “I’m the Best”, reperja e famshme i kishte cituar atë dhe vëllain e saj të vogël, si arsye pse ajo është kaq grindavece.