Rockeri Ozzy Osbourne po planifikon një udhëtim në Zvicër në prill për të kërkuar trajtim i cili mund të ndihmojë në trajtimin e sëmundjes së Parkinsonit.
Ish-ylli i “Black Sabbath” dhe menaxherja/bashkëshortja e tij Sharon i bënë publike problemet e tij të fundit me shëndetin në emisionin televiziv amerikan të mëngjesit Good Morning America të martën (21 janar), duke zbuluar se ai po lufton me sëmundjen progresive neurologjike Parkin’s II - dhe po kërkon trajtim radikal për ta luftuar diagnozën, shkruan KOHA Ditore.
"E kemi arritur një pikë këtu, në këtë vend, ku nuk mund të shkojmë më tej, sepse i kemi marrë të gjitha përgjigjet që mund t’i marrim", shpjegoi Sharon, "kështu që në prill do të shkojmë tek një profesor në Zvicër dhe ai merret me ngritjen e sistemit tuaj imunitar në kulmin e tij.

"Do të shkojmë kudo ku mund të shkojmë për të kërkuar përgjigje."
"Kemi goxha fat që mund të paguajmë diçka të tillë," shton Ozzy, duke këmbëngulur që ai pranoi të bisedojë me ABC News për intervistën televizive me qëllim që t’i hedhë poshtë raportet se është në shtratin e vdekjes.
Me një pamje të lumtur dhe të shëndetshme në TV, Ozzy tha: "Larg kësaj (vdekjes)" kur u pyet t’i komentonte thashethemet.
Përveç kësaj, ai e pranon se ishte lodhur duke e fshehur një sekret nga fansat: "Nuk mund ta fsheh më", shtoi ai. "Duket sikur po më mbarojnë justifikimet."
Sharon e përlotur i falënderoi fansat për mbështetjen e tyre gjatë vitit të kaluar, pasi Ozzy u detyrua t’i anulonte të gjitha koncertet në turneun e tij për vitin 2019.
"Thjesht, do të thotë kaq shumë për të, atij i pëlqen të performojë", tha ajo. "Performimi është ajri që ai e thith dhe ky është qëndrimi më i gjatë i tij në shtëpi. Është koha që ai të kthehet në turne... Ai me të vërtetë duhet të kthehet në turne".