Aktori Matthew McConaughey dhe kolegu i tij Hugh Grant kanë vendosur ta luajnë Kupidin dhe t’i bashkojnë prindërit e tyre, nënën e McConaughey, Kay (88) dhe babanë e Grant, James (91). Këta aktorë mund t’i shohim në filmin e ri “The Gentlemen”, ndërsa ideja për takimin lindi pikërisht gjatë xhirimit të filmit. Edhe vetë Matthew foli për të gjithë situatën.
“Ne i bashkuam, mendojmë se kimia midis tyre do të jetë mjaft e tensionuar”, - tha Grant, ndërsa McConaughey e pranoi që çifti së shpejti do të dalë në takim.
“Ua kemi aranzhuar një takim javën e ardhshme dhe me siguri nuk do t'i shohim ata për pjesën tjetër të mbrëmjes", komentoi aktori, i cili me bashkëshorten Camila Alves i ka tre fëmijë. Vetë McConaughey deklaroi se nëna e tij ndonjëherë krijonte situata të pakëndshme gjatë karrierës së tij të aktrimit, shkruan KOHA Ditore.
“Ajo ishte në kaos, vinte në intervista kur u bëra i famshëm, mendonte se gjithçka rrotullohej rreth saj. I thashë: mami, të lutem, po përpiqem të gjendem në këtë botë të re të të famshmëve, kontrolloje veten” - shpjegoi aktori, duke shtuar se Kay kishte dashur gjithmonë të bëhej yll i filmit.