Showbiz

Selena Gomez e ka nisur një kapitull të ri, jo vetëm në muzikë

Ylli i hitit “Lose You To Love Me”, Selena Gomez, ka pasur një fillim emocionues të vitit 2020, me lansimin e albumit të tretë të incizuar në studio të titulluar, “Rare”.

Së fundmi, në një intervistë për emisionin “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon”, pop ylli foli hapur për procesin e incizimit të këngëve, të cilat përshtaten me shijen e fansave të saj, si dhe mënyrën se si ka mësuar ta vendosë veten dhe shëndetin e saj fizik e mental, para gjithë të tjerëve.

“E kam thënë këtë gjë edhe më parë, por gjithnjë ndihesha keq të thosha diçka, sepse e gjeja veten duke i mbrojtur njerëzit të cilët asnjëherë nuk më kanë mbrojtur ose nuk janë kujdesur për mua. Nuk dua të them diçka të gabuar, sepse nuk dua që njerëzit të mendojnë që unë kam pasur ndonjë motiv tjetër përveç të qenit një person i sjellshëm dhe i dashur. Sepse unë jam e tillë dhe mburrem me këtë gjë. Por, thjesht jam ngopur. Nuk dua më të qëndroj e heshtur. Ndieja se e meritoj t’i kushtoj pak kohë vetes, sidomos pasi kam kaluar nëpër aq shumë vështirësi dhe sfida, dhe kështu vendosa t’i hedh të gjitha këto emocione dhe ndjenja në këtë album”, ka shtuar tutje këngëtarja.

Gomez, po ashtu, ka treguar se i janë dashur katër vjet për ta kompletuar albumin. Kjo ka ndodhur për shkak të disa vonesave që ajo nuk i kishte parashikuar fare, si transplantimi i veshkës, ballafaqimi me efektet e shkaktuara nga sëmundja Lupus, dhe natyrisht ndarja e saj shumë publike dhe e mundshme me yllin kanadez, Justin Bieber.

Edhe pse ajo asnjëherë nuk e ka përmendur emrin e ish të dashurit të saj, Gomez zbuloi se e ka pasur mjaft të vështirë ta shkruajë tekstin e këngës “Lose You To Love Me”, të cilën adhuruesit e këngëtares besojnë se është inspiruar nga ndarja e çiftit.

Pas lansimit të albumit “Rare”, fansat e Selenës menjëherë filluan të spekulojnë se disa këngë të tij, japin detaje nga lidhja katërvjeçare e këngëtares me Bieberin, para se ai të martohej me modelisten Hailey Baldwin.