Showbiz

Inspirimi i Jennifer Lopezit për filmin “Hustlers” ngre padi për ngjashmërinë në film

Striperja nga jeta reale e cila e frymëzoi personazhin e Jennifer Lopezit në “Hustlers” e ka iniciuar një proces gjyqësor prej 40 milionë dollarësh kundër zyrtarëve në firmën e produksionit të aktores për përdorimin e ngjashmërisë së saj pa leje.

Samantha Barbash pretendon se J.Lo e bazoi rolin e saj të Ramonës në të, edhe pse ajo e refuzoi një ofertë nga drejtuesit e filmit për t’i nënshkruar të drejtat e historisë së jetës së saj për hit-dramën, shkruan KOHA Ditore.

Striperja i akuzoi zyrtarët për diskreditimin e saj, pasi që Ramona portretizohet si dikush që "përdor dhe prodhon substanca të paligjshme në shtëpinë e saj ku jetonte me fëmijën e saj" – nga e cila Barbash është ofenduar, sepse insiston se kjo nuk ka ndodhur kurrë.

Tani ajo po i hedh në gjyq drejtuesit në kompaninë e Lopez Nuyorican Productions, duke i kërkuar 20 milionë dollarë si kompensim dhe 20 milionë dollarë të tjerë në dëmshpërblim, raporton TMZ.

Vetë superylli nuk është përmendur në padi, por ajo ishte një nga producentët e projektit, gjë që i ka sjellë asaj vlerësime kritike, duke përfshirë edhe nominimet për “Screen Actors Guild Awards” dhe “Golden Globes”.

Image

Përfaqësuesit e filmit “Hustlers” nuk kanë komentuar për hapin ligjor në fjalë.

Filmi është i bazuar në një artikull të “New York Magazine” i cili u bë viral në vitin 2015, në lidhje me një grup të valltareve ekzotike, të cilat i mashtrojnë klientët e tyre të pasur brokerë.