Regjisorja e “Honey Boy”, Alma Har’El është përplasur me zyrtarët e Hollywood Foreign Press Association, pasi që i injoruan regjisoret femra në mesin e të kandiduarve për Golden Globe
Regjisorja, e cila u bashkua me Shia LaBeouf për dramën biografike të cilën edhe e shkroi aktori, u deklarua të hënën në Twitter për ta shprehur zhgënjimin e saj për listën e kandidimeve për ceremoninë e vitit 2020, shkruan KOHA Ditore.

"Mirëmëngjesi të gjithë atyre që më shkruajnë në lidhje me #goldenglobes, ju kuptoj, por dijeni këtë”, postoi ajo. "Isha brenda për herë të parë këtë vit. Këta nuk janë njerëzit tanë dhe ata nuk na përfaqësojnë. Mos kërkoni drejtësi në sistemin e çmimeve. Po e ndërtojmë një botë të re”.
Ajo e përfundoi porosinë e saj duke i thirrur ndjekësit që të "vazhdojnë të luftojnë" për përfshirje në film, duke e ndarë besimin e saj se njohja e çmimeve është më pak e rëndësishme sesa përfaqësimi.
“Vazhdoni të luftoni për më shumë femra dhe njerëz me ngjyra prapa kamerave duke i mbështetur filmat e tyre. Mos e bëni qëllimin tuaj përfundimtar paratë politike, të cilat kalojnë nëpër duar në formën e fushatave filmike për njerëzit që nuk mund të na shikojnë dhe nuk na njohin."
Ekspertët e showt të çmimeve u tronditën nga shpërfillja e Har’el, regjisorja e “Little Women”, Greta Gerwig, Lulu Wang e “The Farewell”, Marielle Heller e “A Beautiful Day in the Neighborhood” dhe krijuesja e filmit “Hustlers”, Lorene Scafaria.