Showbiz

Billie Eilish do t’i fitojë 25 milionë dollarë nga dokumentari për Apple TV+

Billie Eilish raportohet se do t’i fitojë 25 milionë dollarë nga dokumentari i saj i ardhshëm për Apple TV+.

Me produksion nga shtëpia muzikore e yllit të Bad Guy, Interscope Records, filmi pritet të bëjë fjalë për këngëtaren 17-vjeçare pas publikimit të albumit të saj të parë, When We All Fall Asleep, Where Do We Go?

Projekti do të jetë në dispozicion përmes platformës argëtuese TV+ në vend të Apple Music, e cila më parë kishte publikuar projekte dokumentare, si “The 1989 World Tour (Live)” i Taylor Swiftit dhe “Songwriter” i Ed Sheeran.

Lansimi i filmit vjen pasi që ylli i “Bury A Friend” u shpall artistja e vitit e Apple Music dhe është vendosur ta udhëheqë ceremoninë e parë të çmimeve të shërbimit për streaming Apple Music Awards, më 4 dhjetor në Steve Jobs Theater në Kaliforni, shkruan KOHA Ditore.

Dokumentari e përmbyll një vit të suksesshëm për Billie, e cila hyri në histori si artistja më e re që fitoi nominime në të katër kategoritë më të mëdha të Recording Academy – Album of the Year, Record of the Year, Song of the Year dhe Best New Artist - me gjithsej gjashtë nominime në Grammy Awards 2020.

Ajo është gjithashtu një nga të shpërblyerat e Billboardit për Women in Music, dhe do të nderohet gjatë një ceremonie më 12 dhjetor në Los Angeles.