Sir Elton John (72) e ka dëshmuar shumë herë se nuk ngurron të flasë, që është arsyeja se pse shumë njerëz e adhurojnë, ndërsa ai në koncertin e tij në Perthin australian i ka fyer rojet e sigurisë në mbrojtje të femrës të cilën sigurimi po përpiqej ta largonte nga salla.
“Hej! Ju dy moronë. Pirdhuni (F*** off)! Lëreni të qetë. Nuk trajtohen kështu zonjat, idiotë dhe frikacakë”, - nuk e kurseu John shërbimin e sigurisë, gjë që mund të dëgjohet qartë nga disa video xhirime të cilat adhuruesit i publikuan në mediat sociale.
Edhe pse në koncert nuk tregoi durim dhe ishte i bindur se po e bënte një gjë të mirë, këngëtari shumë shpejt kërkoi falje për shpërthimin e tij, shkruan Metro.co.uk. John shpjegoi se mbrojtja e femrave ishte diçka për të cilën ishte shumë i apasionuar dhe thjesht 'e humb kontrollin’ për këtë, ndërsa publiku e shpërbleu me miratim.
Këtë herë, ai qëndroi në mbrojtje të publikut të tij, por ndonjëherë Eltonin e nevrikosin edhe fansat e tij, shkruan KOHA Ditore. Në një koncert në Las Vegas vitin e kaluar, ai i ftoi fansat që gjatë interpretimit të “Saturday Night’s Alright for Fighting” t’i bashkoheshin në skenë, por një adhurues ishte veçanërisht i mërzitshëm duke e prekur këngëtarin vazhdimisht në shpatull, duke u përpjekur që t'ia 'tokë' dhe e pengoi atë gjatë performancës.
“Tani u teprua! Nuk ka më ngjitje në skenë, ndërsa ti je fajtor për të gjitha”, – iu drejtua këngëtari i shqetësuar dukshëm njërit prej fansave dhe e ndërpreu koncertin.