Akuzat ndaj aktorit Johnny Depp (56) nga ish-bashkëshortja e tij, aktorja Amber Heard (33) ende po vazhdojnë. Për shkak të kësaj, aktori është vazhdimisht nën syrin vigjilent të publikut. E gjithë kjo vëmendje i ka ardhur në majë të hundës të dashurës së tij të deritanishme, valltares go-go Polina Glen (24). Ajo i mori gjërat e saj dhe u shpërngul nga shtëpia e tyre e përbashkët në Los Angeles, shkruan Daily Mail.
Glen kështu e braktisi Deppin dhe 'iku kokë e këmbë' nga Los Angelesi në vendlindjen e saj në Sankt Petersburg sepse e gjithë vëmendja mediatike ndaj Deppit e frikësoi atë dhe ajo dëshiroi të ikte nga gjithçka.
Depp dhe Glen u lidhën për herë të parë në vitin 2017, në të njëjtin vit kur Depp e finalizoi shkurorëzimin nga Heard, por beteja e tij ligjore me ish-bashkëshorten, e cila e akuzoi atë për abuzim, sapo kishte filluar, kështu që Depp po e “merrte veten” në shoqërinë e valltares, shkruan KOHA Ditore.
Në aktakuzë, Heard pretendonte se Depp e abuzonte atë sistematikisht fizikisht dhe mendërisht, apo e rrihte atë, dhe e tërhiqte për flokësh, veçanërisht kur ishte i dehur. Aktori i mohoi të gjitha akuzat. Ai gjithashtu e paditi Heard për shpifje, por ajo nuk hoqi dorë dhe dha detaje të mëtejme për abuzimin.