Aktoret G.g. Townson dhe Laila Odom janë përzgjedhur për të luajtur si veteranet e rapit “Salt-N-Pepa” në një biopik të ardhshëm televiziv.
Aktorja e “Everybody Hates Chris”, Townson, do ta luajë Cheryl ‘Salt’ James, ndërsa Odom nga “Young and the Restless” do ta luajë Sandra ‘Pepa’ Denton në serinë e kufizuar, raporton “Variety”.
Gjithashtu, në projektin e rrjetit Lifetime janë angazhuar Monique Paul si anëtarja e tretë e bendit, DJ Spinderella, Jermel Howard si ish-bashkëshorti reper i Denton, Treach, nga “Naughty by Nature”, dhe Cleveland Berto si producenti muzikor Hurby Azor, i cili e zbuloi trion.
Seriali akoma i patitulluar do ta paraqesë ngritjen e yjeve në industrinë e hip-hopit në fund të viteve 1980, pasi që u konstituuan si një nga bendet e para femërore rap, ndërsa gjithashtu do të ofrojë pamje nga prapaskenat për ulje-ngritjet e marrëdhënieve të muzikanteve, shkruan KOHA Ditore.

Projekti do të bëhet me regji të Mario Van Peebles dhe do t’i paraqesë disa nga hitet më të mëdha të Salt-N-Pepa, si Shoop, Whatta Man, Let's Talk About Sex, dhe Push It (të nominuar me Grammy), kur të shfaqet vitin e ardhshëm (2020).
James dhe Denton do të shërbejnë si producente ekzekutive në seri, së bashku me Queen Latifah.