Showbiz

Xiaomi planifikon t’i ketë mbi dhjetë telefona 5G gjatë vitit 2020

Lei Jun, drejtori i përgjithshëm i kompanisë Xiaomi vuri në dukje se prodhuesi kinez planifikon që gjatë vitit të ardhshëm t’i livrojë dhjetë ose më shumë telefona 5G. Jun e theksoi këtë gjatë ngjarjes World Internet Conference në Kinë, raporton Neowin.

Xiaomi tashmë ka filluar me shitjen e pajisjes së vet 5G, modelin Xiaomi Mi 9 Pro, i cili u lansua muajin e kaluar. Xiaomi Mi 9 Pro, megjithatë, e kishte një lansim shumë të kufizuar dhe arriti vetëm në tregun kinez. Sipas zyrtarëve të kompanisë, gama 5G do të jetë dukshëm më e gjerë me opsione të përmirësuara të lidhjes që vijnë në premium, si dhe në pajisjet e segmentit të mesëm dhe të ulët vitin e ardhshëm.

Si rezultat i luftës tregtare në mes SHBA-së dhe Kinës, përdoruesit në Kinë për shkak të motiveve patriotike gjithnjë e më shumë po blejnë Huawei dhe produkte të kësaj kompanie, shkruan KOHA Ditore. Fokusimi i shtuar i tregut të përdoruesit në Huawei bëri që pjesa e tregut të Xiaomi në Kinë të binte në 11.8 për qind në tremujorin e dytë, nga 13.9% sa ishte një vit më parë. Gjëja pozitive për kompaninë është që Xiaomi në Evropë ka realizuar përqindje të rritur të tregut gjatë tremujorit të dytë, në 9.6 për qind nga 6.5 për qind nga viti i kaluar.