Showbiz

Turneu rekord-thyes i Pink ia sjell asaj çmimin më të lartë të Billboardit

Pink do të bëhet solo artistja e parë femër e cila e fiton çmimin Legend of Live nga Billboard për turneun e saj rekord-thyes “Beautiful Trauma”.

Ylli do ta pranojë çmimin në Billboard Live Music Summit & Awards në nëntor të këtij viti.

"Midis performancave të saj magjepsëse live, akrobatikës së saj vizuale me fluturim të lartë dhe katalogut të saj të jashtëzakonshëm muzikor, i cili përfshin 32 single në Billboard Hot 100 dhe tri albume nr. 1 në toplistën e Billboard, asnjë artist nuk është më meritor për këtë çmim sesa P!nk", thuhet në një deklaratë të Dave Brooks, drejtorit të Billboard për muzikë live dhe turne. "Turneu i saj ‘Beautiful Trauma’ është një ngjarje historike e qëndrueshmërisë dhe ekselencës artistike dhe jemi të nderuar që ajo do të na bashkohet në Beverly Hills për ta festuar këtë arritje rekorde".

Image

Fituesit e mëparshëm të çmimit përfshijnë Elton John, The Allman Brothers, Ozzy Osbourne dhe John Mayer, shkruan KOHA Ditore.

Turneu i sapo-përfunduar i Pink, “Beautiful Trauma”, i inkasoi madje 397.3 milionë dollarë gjatë viteve 2018 dhe 2019, duke e bërë atë koncertin e 10-të më fitimprurës në historinë e Billboard Boxscore, dhe më të madhin për një femër për më shumë se një dekadë.