Blanchett dhe Richard Linklater flasin për momentin shokues në “'Where’d You Go, Bernadette”?

Blanchett dhe Richard Linklater flasin për momentin shokues në “'Where’d You Go, Bernadette”?

21 August 2019 17:13

Ekziston një kuptim i dyfishtë në titullin Where’d You Go, Bernadette, adaptimin filmik të Richard Linklater të romanit epistolar bestseller të Maria Semple nga viti 2012.

Nga njëra anë, është një referencë për aktin që personazhi i titullit, arkitektja tërheqëse Bernadette Fox (e luajtur nga Cate Blanchett), e zhvillon në mes të rrëfimit, transmeton “Koha Ditore”. Por edhe para se të ndodhte kjo, njerëzit në jetën e saj - veçanërisht bashkëshorti i saj, Elgin (Billy Crudup) - tashmë janë të shqetësuar se ajo është larguar prej tyre, duke u zhdukur në korridoret e mendjes së saj. Edhe pse Bernadette insiston vazhdimisht se është mirë, sjellja e saj u sugjeron të tjerëve se ajo është gjithçka veçse jo mirë.

Hendeku i madh midis mënyrës se si e shikon Bernadette veten dhe si e percepton pjesa tjetër e botës atë, e krijon një përplasje të pashmangshme, dhe kjo vjen drejt fundit të aktit të dytë të filmit, kur Elgin e organizon një ndërhyrje të krijuar për të bërë që gruaja e tij ta pranojë idenë e tij se ajo ka nevojë për ndihmë psikiatrike profesionale. Të thuash se kjo shkon keq është një nënvlerësim: Përballë një dhome të mbushur me fytyra armiqësore - ose, të paktën, shumë skeptike - Bernadette ikën nga skena.

“Është momenti kur gjithçka ndryshon; si një pengesë në rrugë”, thotë Blanchett për Yahoo Entertainment. “Pozicionimi i vendit ku ndodh ndërhyrja dhe sa dinë personazhet e tjerë dhe audienca për Bernadette para dhe pas kësaj është shumë masiv. Ishte një sfidë e vërtetë.”

Në intervistat e ndara me Blanchett dhe Linklater, u hulumtua se si ajo skenë sfiduese kërcen nga faqja në ekran, dhe si flet për temat më të mëdha të filmit për femrat që e marrin kontrollin e fatit të tyre, pa marrë parasysh sa e veçantë kjo mund të duket për të tjerët.

Richard Linklater: Unë e përshkruaj atë skenë si një lloj përplasjeje të pikëllueshme të pikëpamjeve të ndryshme. Bernadette është në rrugën e duhur deri në një farë mase, ajo i ka pasur disa zbulesa. Ndërkohë Elgin është i dëshpëruar dhe e ka ekspozuar shëndetin e familjes së tij ndaj një industrie që paguhet për të ndërmarrë veprime në intervenime. Pra, është një rrjedhë e trishtuar e ngjarjeve. Është si makthi juaj më i keq. Jeni duke e jetuar jetën tuaj dhe pastaj shikoni dhe të gjithë miqtë dhe familja juaj e ka një listë të gjithçkaje që e keni bërë që është pak a shumë e çuditshme, dhe ata mendojnë se jeni të çmendur. Mendoj se jetoj nga frika e kësaj!

Cate Blanchett: Sado që bëhet fjalë për Bernadette, dhe gjendjen në të cilën ajo është, është edhe momenti kur bashkëshorti i saj - i cili e ka injoruar plotësisht gjendjen në të cilën është gruaja e tij - tregon se ai është në mohim të vetvetes. Ai refuzon ta pranojë ose ta shohë pikëpamjen e Bernadette. Pra, është një moment kur e kuptojnë se sa të larguar janë nga njëri-tjetri, dhe ka të bëjë me vetëmashtrimin e tij dhe të saj.

Linklater: Të gjithë të tjerët në dhomë kanë vendosur tashmë; ata kanë arritur në përfundimin e tyre. Ata thjesht po kalojnë nëpër mocionet e saj, që mendoj se është ajo që duhet ta bësh kur e bën një veprim përfundimtar. Por është e trishtueshme të mos e dëgjosh atë në atë moment kyç. Por kjo tregon gjithashtu se ku është ajo dhe Elgin në të vërtetë: Ata nuk po e dëgjojnë njëri-tjetrin në këtë fazë të marrëdhënies së tyre. Ai është i shqetësuar për të, dhe nuk e di se çfarë të bëjë dhe i duhet i gjithë filmi që ai ta kuptojë gabimin e sjelljeve të tij. Jam munduar të kem ca simpati për Elgin, dhe jo ta bëj atë një djalë totalisht të keq. Por ajo që ai e bën është një gjë e gabuar. Nëse nuk i dëgjoni informacionet e reja, gjëra të këqija mund të ndodhin.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme