Një këngë e papublikuar gjashtë-minutëshe nga i ndjeri George Michael do të paraqitet në një film të ri bazuar në muzikën e tij.
Në filmin Last Christmas, i cili do të dalë më vonë këtë vit, do të luajnë Emilia Clarke, Henry Golding dhe Emma Thompson.
Regjisori i filmit Paul Feig tha për BBC News: “George Michael po e përgatiste albumin e tij të ri kur vdiq.
“Dhe një nga këngët tona është një nga ato këngë, dhe është thjesht një këngë absolutisht e mahnitshme të cilën jam shumë i ngazëllyer që bota do ta dëgjojë tani”.
George Michael u gjet i vdekur në Ditën e Krishtëlindjes në vitin 2016 në shtëpinë e tij në Goring, Oxfordshire.
Last Christmas përqendrohet në një këngëtare të re (të luajtur nga Clarke), heroi i të cilës është George Michael, shkruan “Koha Ditore”. Feig shpjegon se muzika e këngëtarit të ndjerë “disi udhëton me të ndërsa ajo kalon nëpër jetën e saj” në skenarin e ngjarjes.
Duke folur për këngën e re, ai vazhdon: “Është një këngë shumë festive, do të thosha. Dhe ne ishim në gjendje ta interpretonim në film të gjithë këngën, e cila është pothuajse gjashtë minuta e gjatë.
“Sepse kur e keni një këngë që nuk është dëgjuar kurrë, nuk dëshironi t’i përdorni thjesht vetëm 15 sekonda të saj. Kënga fillon në fund të filmit, dhe pastaj vazhdon në përmbyllje”.
Last Christmas do të dalë korrikun e ardhshëm dhe në të gjithashtu do të luajë Henry Golding dhe Michelle Yeoh, të cilët gjithashtu u shfaqën së bashku në Crazy Rich Asians.
Traileri i parë për filmin e pati premierën të mërkurën në mëngjes.
Deri më tani, formati i saktë i Last Christmas ka qenë i paqartë, ku fansat pyesin nëse muzika e Michael do të përdoret thjesht si kolonë zanore, apo nëse këngët do të këndohen nga personazhet.
“Nuk është mjuzikël, por muzika e George ndikon në ngjarje”, sqaron Feig. “Janë disa pjesë ku aktorët bashkëveprojnë me muzikën dhe pjesë të tjera ku dëgjohet muzika e George, ose e përcjellin ngjarjen. Kështu që është një përzierje e këndshme e të qënit as film jukebox dhe as film i “pastër” muzikor”.
Është larg nga filmi i parë që bazohet në katalogun e pasëm të një bendi apo artisti të caktuar. Mamma Mia dhe vazhdimi i tij ishin hite të mëdha në kinema, ndërsa Bohemian Rapsody i fitoi katër Oscare më herët këtë vit.