Showbiz

Naomi Campbell i zbulon ritualet e çuditshme, por edhe rigoroze që i ka para fluturimit

Si një supermodele me karrierë më të gjatë se tri dekadëshe, Naomi Campbell ka kaluar shumë kohë në aeroplan. Prandaj, nuk është çudi që ajo e ka zhvilluar një rutinë goxha të organizuar para fluturimit.

Në kanalin e saj në YouTube "Being Naomi", pantera e zezë, siç e quajnë, e jep një pasqyrë të ritualit të rregullt të fluturimit, ndërsa detajet, siç konsiderojnë shumë njerëz, janë jashtëzakonisht të çuditshme.

"Më pëlqen të jem në ajër. Më pëlqen të jem kudo, por ende jo në të njëjtën kohë", tha Naomi.

Gjërat bëhen interesante pasi bukuroshja e zë ulësen në klasën e biznesit në fluturimin Qatar Airways nga Nice në Doha, dhe fillon të përgatitet për fluturim.

Në pizhame të mëndafshtë, Naomi nga çanta e udhëtimit “Louis Vuitton” i nxjerr një palë dorashka për përdorim të shkurtër së bashku me pecetat antibakteriale, shkruan KOHA Ditore.

"Pastroni të gjitha që do t’i prekni", thotë ajo, para se ta fshijë çdo centimetër të ulëses së saj, rripin e sigurisë, tavolinën, ekranin e televizorit, telekomandën dhe dritaren.

Edhe pse për disa kjo mund të duket ekstreme, ylli i lindur në Londër beson se kjo rutinë rigoroze ka bërë mrekulli për shëndetin e saj.

"Këtë e bëj në çdo aeroplan para fluturimit. Nuk më intereson se çfarë mendojnë njerëzit për mua. Është për shëndetin tim. Unë udhëtoj shumë dhe nuk guxoj të sëmurem. Mendoj se rutina ime e vogël vërtet ndihmon", tha Campbell.

Në fund të videos, Naomi e vendos një maskë sanitare në fytyrën e saj.

"Derisa avioni ateron, njerëzit fillojnë të kolliten dhe të teshtijnë. Thjesht nuk mund ta duroj këtë, dhe kjo është mbrojtja ime nga njerëzit që kolliten dhe teshtijnë", shpjegon Naomi.