Showbiz

“Nusja nga Stambolli” me dramat e fundit të sezonit

“Nusja nga Stambolli” vazhdon edhe këtë javë me episodet e reja premierë të sezonit të dytë, të cilit po i afrohet fundi. 18 korriku do të shënojë transmetimin e episodit të fundit të sezonit aktual, derisa sezoni i ri do të rikthehet nga 2 shtatori në ekranin e KTV-së.

Edhe episodet e radhës do të sjellin plot, dramë dhe zhvillime në jetët e personazheve të familjarizuara për adhuruesit e kësaj telenovele. Osmani dhe Burxhu tashmë janë në përgatitje për dasmën e tyre, kjo një prej ngjarjeve të pritura me shumë kërshëri nga të afërmit e çiftit. Gjatë javës do të shohim pjesën e bukur të përgatitjeve dhe ceremonisë së martesës.

Mbetet të shihet çka do të ndodhë në të vërtetë në dasmë! Sirena, gruaja e peripecive dhe e aventurave, nëna e Burxhusë, e cila do të përkujdeset për organizimin e dasmës, e shoqëruar nga burri i saj do të jetë personazhi më qesharak me të cilin do të tallen të gjithë.

Nga ana tjetër Dilara e Ademi sikur janë në një paqe me lidhjen e tyre, e cila për ca kohë qe futur në krizë dhe për më tepër Ademi kërkon që të fillojnë të planifikojnë krijimin e familjes së tyre. Megjithatë, Ademi nuk e ka harruar hakmarrjen ndaj Boranëve.

Duke e shfrytëzuar Gyziden do të planifikojë një skandal të paparë për familjen e famshme Boran dhe për kompaninë e tyre të re “BoranJet”. Esmaja tani pasi u bind për dashurinë e Garipit do të jetë shumë e lumtur. Ndërsa Akifi dhe Senemja pas një turbullire, ku ajo dyshonte për tradhtinë e tij, sikur qetësohen dhe kanë hallin e Syrejasë dhe shqetësimin e saj.

Vetëm edhe 8 episode kanë mbetur deri në përfundim të sezonit të dytë të serisë “Nusja nga Stambolli”. Sikur çdo javë, do të ketë episode me shumë dramë, skenarë dhe muzikë origjinale që do të mbajnë adhuruesit e telenovelave pranë ekranit në pritje të zhvillimeve të radhës.

Sezoni i dytë ka thyer rekordet e shikueshmërisë në kategorinë e telenovelave sidomos në vendet e rajonit dhe në Turqi. Seria transmetohet çdo ditë pune nga ora 21:30 vetëm në Kohavision.