Seria “Nusja nga Stambolli” vazhdon me episodet e reja premierë të sezonit të dytë. Sezoni i dytë në episodet e radhës ka arritur kulmin e shikueshmërisë.
Ademi i hutuar duke mos ditur se si të veprojë dhe kujt t’i besojë nga familja Boran. Ipekja në një anë duke e shtyrë edhe më shumë në urrejtje ndaj Farukut. Zënka mes Ademit e Dilaras, zënkat në familjen Boran do ta shënojnë komplet javën.
Akifi i zhgënjyer që humbi besimin e shokut të jetës, Farukut, nuk do të dijë si të veprojë, mbyllet në shtëpi dhe vuan. Takimet e Ademit dhe Fikretit do të shpeshtohen, dy vëllezërit gjithmonë kanë pasur gjuhë të përbashkët dhe plane mes tyre. Fikreti do ta takojë Asrën në të njëjtin restorant ku ishte edhe ai. Fikreti do të tregojë që ende e do Asren dhe se është lënduar që ajo e ka braktisur.
Për rrjedhojë do të përfundojë në banesën e saj, por mbetet të shihet nëse lidhja mes tyre do të rikuperohet. Ipekja do të jetë dëshmitare e një ngjarjeje atë natë. Lansimi i fushatës për “BoranJet” do të sjellë risi, por Faruku nuk do të mundë të vijë për shkak të sulmit në zemër.
Mungesa e Farukut do të bëjë që Syreaja të alivanoset dhe e gjithë familja të vuajë për situatën e krijuar. Të gjitha dyshimet do të bien mbi Ademin dhe do të shohim si do të zhvillohet gjithë kjo ngjarje. Kush do ta gjejë Farukun dhe në çfarë gjendjeje shëndetësore do ta shohim gjatë episodeve të kësaj jave.
Sikur çdo javë, edhe kjo javë do të ketë episode me shumë dramë, skenar dhe muzikë origjinale, që do t’i mbajë të gjithë pranë ekranit duke pritur me padurim ngjarjet pasuese.
“Nusja nga Stambolli” është seri e prodhuar në Turqi dhe është nominuar për çmimin “Emmy”. Ndiqeni serinë “Nusja nga Stambolli”, që transmetohet çdo ditë pune nga ora 21:30 vetëm në “Kohavision”.