Jazz-bateristi Lawrence Leathers është vrarë në një apartament në New York në moshën 37-vjeçare. Ai është gjetur të dielën në mëngjes në shkallët e Bronxit, ndërsa për vrasjen e tij dyshohen e dashura e tij 41-vjeçarja Lisa Harris dhe 28-vjeçari Sterling Aguilar.
Aguilar thuhet se e ka mbajtur atë për qafe për rreth gjysmë ore ndërkohë që Harris e kishte goditur me grushte në kokë. Ai ka vdekur nga ngufatja, njoftoi mjeku ligjor, raporton People.
Leathers i fitoi dy “Grammy” për punën e tij. Ai u shpërblye si anëtar i bendit të këngëtarit Cécile McLorin Salvant, ndërsa në vitin 2015 ('For One To Love') dhe në vitin 2017 ('Dreams and Daggers') ata e fituan çmimin “Grammy” për jazz-albumin më të mirë vokal, shkruan KOHA Ditore.
Muzikanti ishte i preferuar në skenën e jazzit të New Yorkut, ku shpesh interpretoi nëpër klubet 'Dizzy's Club Coca-Cola' dhe 'Smalls Jazz Club', ndërsa duhej të performonte edhe të hënën e kaluar.

Në bateri filloi të interpretonte në moshën 15-vjeçare, ndërsa e përfundoi shkollën prestigjioze të muzikës Julliard. Në një bisedë me Capsulocity në vitin 2012, ai tregoi se bateritë i kishte parë për herë të parë në kishë. Ato e mahnitën dhe filloi të interpretojë në to pas çdo meshe.
“Pas çdo meshe do të shkoja tek bateritë dhe do të luaja. Kishte diçka në atë ndjenjë, në ritëm. Ato flisnin me mua, e kuptoni çfarë dua të them? Modelet e swingut... Sido që të jetë në atë moment vendosa të interpretoja në bateri”, – tha Leathers.