Një tjetër superhero i DC e ka pushtuar botën filmike ,“Shazam!”, filmi që në javën e parë të shfaqjes ua ka sjellë studiove Warner Bros dhe New Line Cinema 53 milionë dollarë në kinematë amerikane dhe 102 milionë të tjera në pjesën tjetër të botës, sipas të dhënave të BoxOfficeMojo.

Për filmin u parashikua një fillim solid prej 40 deri në 45 milionë dollarë në SHBA, ndërsa “Shazam!” falë kritikave të para pozitive kaloi edhe më mirë se kaq. Megjithëse 53 milionë dollarë për filmin e bërë nga një strip në tregun e atjeshëm nuk tingëllon shumë, “Shazam!” u ka kushtuar Warner Bros dhe New Line shumë më pak (buxheti ishte gjithsej 98 milionë dollarë) sesa filmat e ngjashëm të cilët janë bërë me efekte speciale. Për krahasim, filmat e mëparshëm të DC si “Batman v Superman: Dawn of Justice” dhe “Justice League” i kanë kushtuar studios rreth 300 milionë dollarë, në të cilat nuk përfshihen kostot e marketingut dhe distribuimit.
Presidenti i distribuimit amerikan të Warner Bros, Jeff Goldstein, deklaroi se rezultati i shkëlqyer është falë faktit se filmi nuk është aq serioz si të tjerët nga bota e filmit e DC: "Qëllimi kryesor ishte argëtimi", tha ai. "Wonder Woman dhe Aquaman janë të errët, dramatikë, më ndryshe, gjë që tregon se mund të bëjmë filma të ndryshëm, të cilët mund ta ndajnë botën e njëjtë të filmit".
“Shazam!” bën fjalë për adoleshentin Billy Baston (Asher Angel), i cili me shqiptimin e fjalës Shazam! shndërrohet në superhero (Zachary Levi), dhe më pas ai e bën atë që do të donte ta bënte çdo fëmijë në vend të tij: të argëtohet! Por loja ndalon kur ai e kupton se duhet të luftojë kundër forcave vrastare, të cilat i kontrollon dr. Thaddeus Sivana (Mark Strong), shkruan KOHA Ditore.
Në rolet e tjera paraqiten edhe Grace Fulton, Faithe Herman, Ian Chen, John Armand, Cooper Andrews dhe Marta Milans. Regjinë e filmit e ka bërë David F. Sandberg, ndërsa skenarin Henry Gayden.