Familja e Aviccit po sigurohet që veprat e fundit të muzikantit të mos lihen pa dëgjuar.
Në një deklaratë për mediet, ata njoftuan se së shpejti do vijë albumi i DJ-it të ndjerë, i titulluar “TIM”. Albumi do përmbajë këngët që Avicii po punonte para se të vdiste vitin e kaluar.
Ai po përgatiste këngët për një album të ri, që nuk arriti ta lansonte në treg, pasi u largua nga jeta në moshë shumë të re.
“Avicii la pas një koleksion këngësh pothuajse të papërfunduara, së bashku me shënime, biseda me e-mail dhe mesazhe rreth muzikës”, thanë në një deklaratë përfaqësuesit e muzikantëve. “Këngëtarët që bashkëpunuan me Timin për albumin vazhduan punën për të sjellë sa më shumë që të ishte e mundur vizionin e tij”, shtuan ata.
Avicii, emri i vërtetë i të cilit ishte Tim Bergling, vdiq në moshën 28-vjeçare më 20 prill të vitit 2018.
Muajin e kaluar, familja Bergling njoftoi ngritjen e një fondacioni që do të mbledhë para për shëndetin mendor dhe parandalimin e vetëvrasjeve.
Të ardhurat neto nga albumi do shkojnë për Fondacionin “Tim Bergling”.
Kënga e tij, “SOS”, do publikohet më 10 prill ndërsa albumi do nxirret në treg më 6 qershor./oranews