Brie Larson aktualisht është duke fluturuar lart në krahët e suksesit të cilin po ia sjell filmi Captain Marvel, edhe pse filmat blockbuster/superheroik nuk kanë qenë shumë shpesh në repertorin e saj. Ky është rasti edhe me filmin e saj të ri Unicorn Store, i cili është gjithashtu edhe debutimi i saj regjisorial.
Tani kemi mundësinë ta shohim trailerin e parë të filmit, me skenar të Samantha McIntyre.
Filmi e sjell Larsonin në rolin e femrës së re të quajtur Kit, e cila është plotësisht e humbur në jetën e saj. E detyruar që të jetojë me prindërit e saj dhe të punojë në punën e përkohshme e cila ia shuan shpirtin. Çdo gjë do të ndryshojë kur ajo e merr një ftesë misterioze në dyqan, e cila do ta bëjë atë të mendojë mirë nëse me të vërtetë dëshiron të rritet.

Samuel L. Jackson, i cili me Larson luajti në Captain Marvel, në këtë film shfaqet në rolin e shitësit misterioz i cili do t’ia ofrojë asaj përmbushjen e një ëndrre nga fëmijëria, shkruan KOHA Ditore.
Bradley Whitford, Joan Cusack, Karan Soni, Ryan Hansen, Hamish Linklater dhe Annaleigh Ashford paraqiten gjithashtu në film.
Filmi e kishte premierën në vitin 2017 në Festivalin e Filmit të Torontos ndërsa për publikun e gjerë do të jetë në dispozicion më 5 prill, kur do të mbërrijë në Netflix.