Tenori i njohur Ramë Lahaj kundër prekjes së kufijve të Kosovës

Tenori i njohur Ramë Lahaj kundër prekjes së kufijve të Kosovës

18 February 2019 08:41

Me një zë rrëqethës që prej vitesh ka njohur sukses në skenat e operave më të mëdha botërore, Ramë Lahaj, interpreton këngën e Vaçe Zelës “Rrjedh në këngë e ligjërime”. Shqipëria zëvendësohet me Kosovën në tekst dhe imazhet shoqëruese janë të Ushtrisë së Kosovës, që ecin nëpër borë dhe vënë flamurin e Kosovës në majë të lartë mali. Vetë Lahaj shfaqet duke lënë një tufë lule mbi varrin e Adem Jasharit, heroit të rënë në luftën e Kosovës.

Videoja dhe kënga janë realizuar me rastin e 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, por tenori i njohur ka dhënë edhe një mesazh dje kur e ka publikuar atë.

“Të dashur bashkatdhetarë. Ky është video-projekti im i parë që si ambasador i kulturës në mbarë botën ia kushtoj Kosovës. Në këto kohëra të vështira me temat rreth kufijve dhe shumë të ri që na ikin çdo ditë nga vendi, do të doja që ky të ishte mesazh shprese. Përndryshe me FSK-në ishim dhe e ngritëm flamurin andaj të gjithë njëzëri të themi ‘Mos na e prekni kufirin’. Videon e plotë mund ta shihni nesër në 11-vjetorin e krijimit të shtetit e 20-vjetorin e çlirimit. Të duam Kosovë”!

Ramë lahaj është cilësuar si ylli i ri i Operës nga Plaçido Domingo. Por ai ka pasur një udhëtim të gjatë, nga ushtar i UÇK-së, në tenor me famë botërore. 35 vjeç, por në majën e suksesit, tenori që ka pushtuar skenat e Europës vjen nga një e kaluar e trishtë. Bëhet fjalë për tenorin Ramë Lahaj. Vetë ai, përmes një postimi në “Facebook” u bënte thirrje të rinjve e të rejave që asnjëherë të mos i braktisin ëndrrat.

Duke u nisur nga shembulli i tij ku para 20 vitesh ishte ushtar i UÇK-së dhe sot tenor i famshëm, Lahaj kërkon që të gjithë të bëhen luftëtarë të fuqishëm për të fituar betejat. “20 vjet ndryshim. Ushtar në luftë, ushtar në paqe. Bonu luftëtar i fuqishëm i jetës tande dhe fito të gjitha betejat që ia ke vënë vetës për synim. Projekto dhe realizo strategjinë për luftën tande. Mos u bon qyqar e me kalu kohën tuj u ankue se jeta asht e vështirë dhe hiç gjë s’shkon qysh duhet! Bonu ushtar i denjë dhe mos lë front të ëndrrave të tua pa e fitue. Kësaj herë t’fala nga Opera e Barcelonës, një prej fronteve të mia që sot më bon krenar që e fitova me nder”, shkruante ai.

Në finalen për çmimin prestigjioz “Operalia”, tenori i mirënjohur kosovar, Ramë Lahaj, ka rrëmbyer vendin e tretë. Tenori kosovar, Ramë Lahaj, ka qenë fitues i dy çmimeve të para nga tri kategoritë e festivalit “Ritorna Vincitor”, në Napoli të Italisë, në edicionin XVI të tij. Lahaj është fitues edhe i dy çmimeve tjera me karakter ndërkombëtar, “Marie Kraja” dhe “Riva del Gardes”. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” vite më parë ai shprehej se, “Saimir Pirgu është këngëtari i preferuar, tenori i preferuar dhe është idhulli im. Jam i lumtur që ne sot kemi këngëtarë si Saimir Pirgu dhe Ermonela Jaho. Para pak kohësh kam pasur një bashkëpunim së fundmi me Ermonelën dhe mund të them se në opinionin tim, ajo është një divë shqiptare”. Atë kohë, ai pat rrëfyer se në Tiranë e ka kaluar shumë mirë, po ka pasur edhe vështirësi. ”Kam ardhur në Akademinë e Arteve pa mbaruar një shkollë muzike dhe më është dashur t’i kapërdij programin për gjashtë muaj dhe më tej kam ardhur këtu ku jam”. Ardhur prej Istogut drejt kryeqytetit të shqiptarëve, Tiranës, përveç shkollimit, këtu do të zinte fill edhe suksesi i tij. Konkursi ndërkombëtar “Marie Kraja” i dha atij hovin e parë drejt suksesit, e më tej do të vinin me radhë skenat e konkurset italiane e gjermane, prej ku do të dilte duarplot.

 

View this post on Instagram

Të dashur bashkatdhetarë. Ky është video-projekti im i parë që si Ambasador i Kulturës në mbarë botën ia kushtoj Kosovës. Në këto kohëra të vështira me temat rreth kufinjve dhe shumë të ri që na ikin çdo ditë nga vendi, do të doja që ky të ishte mesazh shprese. Përndryshe me FSK-në ishim dhe e ngritëm flamurin andaj të gjithë njëzëri të themi ' Mos na e prekni kufirin'. Të duam Kosovë! ———————————————————————————My dear all. This is my first video project that I am dedicating to Kosovo as an Ambassador for Culture in the world. In these difficult times with the issue of the borders and many young people that are leaving the country everyday I would like this to be a message of hope. Otherwise with the Kosovan army we raised the flag so let's say it unanimously 'Do not touch our borders'. Kosovo, we love you! Composed by Feim Ibrahimi Lyrics by Gjoke Beci Rearrangement by Shpetim Saraçi Directed by Bledar & Besart Bujupi Director of Photography Latif Hasolli Drone Operator Arton Krasniqi Focus Puller Milot Bunjaku Post Production http://www.bledit.com Colorist Paul Willis #kosova #shqiperia #kosovo #albania #tirana #prishtina

A post shared by Rame (@ramelahaj) on

Komentet

Shto koment

Të ngjashme