Showbiz

Viti i yjeve – Dua Lipa, Rita Ora

Vajzat nga Kosova, edhe këtë vit, kanë luajtur rol të madh në skenën e muzikës botërore. 2018-a ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për Dua Lipën, e cila ka kulmuar me nominimin në dy kategori për Grammy Awards, çmimet kryesore muzikore në SHBA.

Lipa ka fituar më herët gjatë vitit dy Brit Awards, çmimet kryesore muzikore në Britaninë e Madhe. Ajo ka vazhduar ta shijojë suksesin e jashtëzakonshëm të hitit New Rules, që numëron gati 1.6 miliardë shikime në YouTube, e që e bën videon e saj ndër 50 videot më të shikuara në historinë e kësaj platforme. Ajo ka lansuar edhe hitin IDGAF dhe nominimin e ka marrë me Electricity, një bashkëpunim me Mark Ronson dhe Diplo. Lipa ka realizuar dhjetëra koncerte në turneun e saj nëpër disa kontinete dhe e ka veçuar një tjetër kthim në Prishtinë, në kuadër të festivalit që e organizon familja e saj, Sunny Hill.

Pas disa vitesh, Rita Ora, më në fund, ka publikuar në nëntor albumin e saj të dytë “Phoenix”. Ajo ka lansuar disa këngë këtë vit, duke përfshirë Anywhere dhe Girls, një bashkëpunim me yje botërore, si Cardi B. Ora gjithashtu ka mbajtur një sërë perfomancash në shumë shtete, por e ka veçuar pjesëmarrjen në koncertin e 10-vjetorit të Pavarësisë, në Prishtinë, para qindra-mijëra qytetarëve. Këngëtarja e lindur në Prishtinë ka thyer rekord në British Official Charts, duke u bërë femra e parë në 30 vjet që ka pasur 13 këngë në Top 10 të top-listës britanike. Rekordin e arriti me këngën Let You Love Me. Edhe pse ndaras shijojnë suksese, të dyja këngëtaret nga Kosova nuk janë parë ndonjëherë bashkë.

Të përbashkët e kanë miqësinë me këngëtaren tjetër shqiptare – Bebe Rexha, e cila gjithashtu shpërtheu në vitin 2018, duke u nominuar edhe në Grammy Awards.