“Platforma që na kishte munguar prej kohësh” është fjalia që e dëgjoj çdokund, në takime, në rrugë apo sa herë flas me gazetarët gjatë intervistave në media. Sot, në dy shtetet tona, Kosovë dhe Shqipëri, janë mbi 2500 biznese lokale dhe mbi 1200 shpërndarës aktiv që e ndërtojnë çdo ditë jetesën e tyre përmes Wolt-it. Kjo nuk është vetëm rritje në numra, por një dëshmi e besimit që kemi fituar, e partneriteteve të ndërtuara dhe e lidhjes së fortë me qytetarët kudo.
Aq sa ndjehem i lumtur si Drejtor i Wolt-it në këto dy shtete, për rrugëtimin e suksesshëm, jam po aq krenar si shqiptar që kjo kompani është pjesë e tregjeve tona, e qyteteve tona, e tryezave dhe bisedave tona.
Kur iu bashkova Wolt-it para më pak se një viti, nuk ishte një zgjedhje e lehtë për mua.
Po e lija pas vetes një karrierë të gjatë dhe të konsoliduar në fushën e telekomunikimit.
Por isha i bindur thellë se diçka tërheqëse dhe akoma më dinamike më priste nga ajo se çfarë kisha bërë më përpara. Vizioni i një kompanie si Wolt që zhvillohet në çdo sekondë të ditës për t’iu përshtatur nevojave të reja të konsumatorëve e zhvillimeve teknologjike të shpejta - ishte ajo që më duhej dhe të cilën po e kërkoja prej kohësh.
Wolt nuk është thjesht një platformë e shpërndarjes. Është një kompani e teknologjisë që po riformëson mënyrën se si njerëzit po u qasen mallrave dhe shërbimeve, duke e bërë më komode përditshmërinë tonë dhe duke i forcuar ekonomitë lokale. Misioni i Wolt-it është i thjeshtë, por i fuqishëm: Të sjellë ngrohtësi, thjeshtësi dhe mundësi më të madhe të të ardhurave për qytetarët dhe bizneset lokale. Dhe fatmirësisht Kosova e Shqipëria e kanë përqafuar këtë mision me gjithë zemër.
Sot, konsumatorët tanë janë të barabartë me po aq miliona të tjerë nëpër botë, kudo në Evropë e Amerikë. Qytetet tona në Kosovë dhe Shqipëri u ngjajnë atyre evropiane me motorët blue kudo në rrugë, dhe bizneset që përfitojnë drejtpërdrejt në çdo moment dhe klikë që shtypet dhjetëra e qindra herë gjatë ditës. Të rinj që mësojnë nga përvoja e një gjigandi teknologjik botëror, që e mbajnë veten me të ardhura dhe i ndihmojnë familjet e tyre. Mbi të gjitha, ekonomitë lokale zhvillohen e Kosova dhe Shqipëria i përafrohen tregjeve më të konsoliduara në rajon dhe Evropë. E gjitha kjo bëhet e mundur falë Wolt-it.
Në Kosovë, gjatë janarit shënuam vitin e parë të operimit të Wolt-it – një rrugëtim i suksesshëm, i shoqëruar me plane ambicioze për zgjerimin e pranisë tonë edhe në qytetet e tjera të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe, Wolt-i përveç Prishtinës u zgjerua edhe në Ferizaj, qendrën e dytë më të madhe ekonomike dhe financiare të Kosovës, duke forcuar vizionin e vet për transformimin e qyteteve përmes teknologjisë. Sot, ekosistemi i Wolt-it në Kosovë përfshin mbi 800 biznese lokale dhe më shumë se 400 shpërndarës, duke mbështetur punësimin dhe duke forcuar ekonominë lokale.
Në Shqipëri, Wolt ka përmbyllur tashmë dy vite të punës, duke shërbyer në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Shkodër, me një vrull të fuqishëm dhe plane për t’u shtrirë edhe në qytete të tjera. Sot, platforma lidh mbi 1,700 biznese lokale me më shumë se 600 shpërndarës, duke mbështetur aktivisht punësimin dhe duke kontribuar në rritjen e ekonomisë lokale të Shqipërisë.
Si Drejtor i Wolt-it për Kosovë dhe Shqipëri, dua të ndaj edhe disa të arritura të përbashkëta dhe suksese që pak tregje i kanë shënuar aty ku Wolt-i operon. Lansimi në këto dy shtete, konsiderohet një ndër më të suksesshmit për kompaninë në nivel botëror. Që në javët e para, Wolt-i ka ofruar një gamë të gjerë të produkteve, jo vetëm në gastronomi por edhe në mallra me pakicë me produkte nga më të ndryshmet si farmaci, amvisëri, dyqane lulesh, kozmetikë e shumë të tjera.
I gjithë ky sukses para se gjithash është meritë e qytetarëve në dy shtetet tona, e bizneseve dhe mijëra konsumatorëve që ndajnë momentet e gëzimit me ne. Dhe Wolt nuk po ndalet me kaq. Para disa javësh e lansoi ridizajnimin më të madh të aplikacionit mobil duke e bërë edhe më miqësor dhe më të lehtë navigimin për konsumatorët.
Do të vazhdojmë shtrirjen në qytete të tjera duke i ofruar mundësi çdo familjeje kosovare, secilit të ri që dëshiron të punojë dhe çdo biznesi që synon të rritet. Të tjera surpriza të bukura do të vijnë me Wolt-in në vitin 2026. Në këto përvjetore të operimit në Kosovë dhe Shqipëri, sa jemi të lumtur për sukseset po aq edhe të përgjegjshëm për ta mbajtur barrën e ofrimit të shërbimeve cilësore të shpërndarjes përmes Wolt-it.
Sot edhe shqiptarët e kanë në xhep dyqanin e tyre të vogël.
Faleminderit partnerëve tanë për besimin.
Përulësisht mirënjohës mijëra konsumatorëve që e bëjnë të mundur këtë rrugëtim.
Lisandri Dragoj,
Drejtor i Wolt Kosovë & Shqipëri